Bota

Na pret dimër i vështirë nga koronavirusi, varianti Omicron “tërbohet”!

Omicron ka “aftësi të jashtëzakonshme për t’u përhapur” dhe “po tërbohet në botë”. Kryeimunologu amerikan, Anthony Fauci zgjedh ta përshkruajë në këtë mënyrë variantin më të ri të koronavirusit, që po përhapet me shumë shpejtësi e paralajmëron një dimër të vështirë përpara. Situatën në spitale e konsideron “tepër stresuese”, nëse vazhdojnë tendencat aktuale, sidomos në zona me nivele të ulëta vaksinimi. Për këtë iu bën thirrje amerikanëve, të vaksinohen.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, vetëm rreth 61% e amerikanëve kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit e 29%, edhe të tretën apo përforcuese. Në Amerikë, Omicron i evidentuar për herë të parë në Afrikën e Jugut, përbën rreth 3% të rasteve. Presidenti Biden nesër do t’i drejtohet kombit, që të shpalosë planet e reja për të përballuar pandeminë e do të përsërisë thirrjet për vaksinim.

Në Europë, shumë vende vazhdojnë me kufizime, si në Holandë e Gjermani, ndërsa Italia po i afrohet zonës portokalli dhe është në garë me kohën.
Dozat e treta duhet të nisin menjëherë, jemi në garë me kohën. Vendi është në një fazë akute epidemike. Rritja e  numrit të vendeve të zëna në terapinë intensive është 70% dhe duhet izolim i rreptë për të pavaksinuarit.

Kryeministri Draghi pritet të mbledhë Komitetin e Ekspertëve në datën 23 që do të shërbejë edhe për të vendosur nëse nevojiten masa të mëtejshme.
Varianti Omicron është i frikshëm. Delta është disi nën kontroll, por varianti Omicron mundi plotësisht t’i prishë planet. Do të vlerësojmë përshtatshmërinë e masave duke reflektuar me shkencëtarët tanë.

Bursat europiane u hapën sot me një rënie të theksuar, edhe për shkak të volumit të ulët të tregtimit, pavarësisht ardhjes së festave të fundvitit. Omicron rikthen frikën në tregje, me kufizime të mundshme dhe efekte negative në rimëkëmbjen ekonomike. Bursat kanë filluar negativisht për Parisin (-2,06%), Frankfurtin (-2,44%), Londrën (-1,77%), Madridin (-2,38%) dhe Milanon (-2,2%).

Edhe bursat aziatike mbyllën sesionin e parë të javës me rënie.

Rritja e rasteve me variantin Omicron dhe efektet në rimëkëmbjen ekonomike janë në qendër të vëmendjes së qeverive të gjithë botës. Për shkak të afrimit të festave të fundvitit, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish përgatiten të udhëtojnë, por Omicron rrezikon t’iu prishë planet. Në Amerikë, zyrtarët nuk iu kërkuan të vaksinuarve, t’i anulojnë planet e udhëtimit, por thanë se njerëzit duhet të mbajnë maska gjatë gjithë kohës në aeroporte, avionë, trena dhe autobusë.

Sot Izraeli shtoi Shtetet e Bashkuara në listën e “ndalimit të fluturimeve”, bazuar në shqetësimet për përhapjen e variantit Omicron. Izraelitëve do t’iu duhet leje e posaçme për të fluturuar drejt SHBA-ve. Omicron i ka dhënë një “dimension të ri” pandemisë sepse “po infekton shumë njerëz në një kohë shumë të shkurtër dhe prek më shumë të shëruarit e të vaksinuarit”. Ekspertët paralajmërojnë mbingarkesë në spitale dhe shërbime shëndetësore, nëse nuk ndërmerren hapa të mëtejshëm. Gjithashtu u kërkuan njerëzve t’i reduktojnë kontaktet me të tjerët, në ditët në vijim.