Aktualitet

Na rrofshin reformat dhe task forcat!/Opinion nga Denis Dyrnjaja!

Brenda 24 orësh, dy ngjarje të rënda kriminale kanë shokuar popullatën. Në Fier, një 57-vjeçar u ekzekutua mbrëmë me breshëri automatiku në automjetin e tij ndërsa në Nikël të Fushë Krujës, maskat futen në një familje në mes të natës e nën terrorin e armëve, dhunës fizike dhe psikologjike ndaj kryefamiljarit të shtëpisë, grabisin 100 mijë euro dhe sende me vlerë që mbaheshin në një kasafortë. Nëse do t’ia referonim rastet për koment ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ai sigurisht do të kundërpërgjigjej me statistika mujore, apo vjeçare krahasimore të suksesshme. Por, shifrat nuk qetësojnë shpirtrat e familjeve që pësuan traumat. Në Fier, të afërmit e viktimës janë përplasur me policinë kur shkuan në vendngjarje dhe ky është tregues se policia po humbet në vazhdimësi besimin e qytetarëve se e ka situatën kriminale nën kontroll.

Në Fushë Krujë, njerëzit e familjes së grabitur e të dhunuar bëjnë apel që shteti të gjejë dhunuesit dhe grabitësit që i terrorizuan. E këto nuk janë thjesht apele, por në fakt janë ulërimat civile të qytetarëve për garanci për jetën dhe pronën. Sado të favorshme të jenë statistikat, ngjarjet e 24 orëve të fundit tregojnë se situata kriminale në terren është e mbingarkuar. Nuk është e tepërt të thuhet edhe se kushdo vret këdo, kurdo e sido, pa patur asnjë lloj ndroje e frike, sidomos nga shteti dhe ligji.

Tre muaj më parë kishim një situatë të ngjashme kriminale. Kryeministri Rama i vuri Policisë së Shtetit një afat 100-ditor për të goditur krimin dhe treguar se shteti garanton jetën e qytetarëve. Por, asgjë nuk ndodhi në këto 100 ditë. Goditje formale, komunikata standarde për keqbërës të ndaluar të një profili mesatar apo të ulët. Madje për ironi, në mediat online qarkullon këto ditë një lajm se në burg ndodhet një i ri që vodhi bukë dhe ca byrekë në një dyqan. Vodhi për të ngrënë dhe është në burg.

Ata që vrasin, hanë, pinë e rrinë në restorante luksoze, në mes të qyteteve. Karshillëku i tyre sfidon dukshëm Policinë, në mjedise publike e rrugë me makina e luks të shfrenuar që burojnë nga aktivitete të dyshimta kriminale, brenda e jashtë vendit. Një drejtor policie iku dhe një tjetër erdhi, shefa policie u qarkulluan, por produkti në terren vijon i pandryshuar. Të fortët mbeten të paprekshëm ndërsa populli, i nënshtruar dhe frikësuar. Njerëzit nuk kanë nevojë për konferenca shtypi e performanca të bukura para Kryeministrisë me tapet të kuq ku ministrat, përfshirë edhe ministrin e Brendshëm, relatojnë vendime të qeverisë si të jenë zëdhënësa të saj. Njerëzit duan t’iu garantohet siguria dhe qetësia, tanimë e cënuar edhe brenda shtëpive të tyre.

Terrori nuk mbulohet me numra statistikash as nuk matet me logjikën e shifrave. Një shtëpi u grabit nën terrorin e maskave në Fushë Krujë, por kjo grabitje është e çdo shtëpie në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër e gjetiu. Në një vend ku grabiten shtëpi ministrash e ish-ministrash, diçka nuk shkon. Ose policia dhe prokuroria janë bërë palë me krimin, ose paaftësia për të menaxhuar jetën dhe sigurinë publike ka arritur në pikën më kritike. Nuk ka më nevojë për dëngla, por për veprime energjike dhe ligjore. Përsa kohë policia do jetë një hap pas nga krimi, pushteti i vrasësve dhe grabitësve do të jetë absolut e ne do jemi robër të tyre.