Aktualitet

Nafta falas për fermerët, rihapen sot aplikimet pas problemeve me bllokimin e serverit të e-Albania!

Në vendin tonë, fermerët dhe blegtorët kanë afat deri më 25 mars që t’iu pranohen aplikimet për masat mbështetëse përfshirë skemën e naftës. Kjo në portalin e-Albania ose në një nga 79 sportelet e bujqësisë ku mund të merret asistenca e nevojshme. Por, dita e parë e aplikimeve që ishte dje, rezultoi zhgënjyese pasi hasën në bllokimin e serverit të e-Albania/-s.

Të shumtë ishin ata që nxituan të aplikonin që në orët e para të mëngjesit të së premtes, një ngutje e nxitur edhe nga deklaratat e përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë se kush aplikon i pari, përfiton më shpejt. Për të shmangur problemet e mëtejshme, aplikimet u hapën përsëri sot prej orës 08:00 të mëngjesit.

Ndërkaq, aplikuesit duhet të jenë të pajisur me NIPT dhe një fermë me hapësirë minimale 0.4 ha dhe parcelë minimalisht 0.1 ha.

Kjo skemë aplikimi është kundërshtuar edhe nga Shoqata e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Prodhuesit Vendor, për të cilën “fati” i bujqësisë nuk duhet të varet nga cilësia e laptopit apo celularit se kush bën aplikimin më shpejt, por duhet të përfitojnë të gjithë fermerët!

Subvencioni i naftës në bujqësi është një nga politikat më të shumëpritura nga komuniteti rural. E realizuar për herë të parë në fillim të vitit 2021, kjo skemë siguroi mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët që punojnë tokën, duke i lehtësuar ata nga kosto e karburantit, në përdorimin e mekanikës bujqësore.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, programoi këtë herë, për të dytin vit radhazi fondet për subvencionin e naftës si masa e duhur që mbështet sektorin e bujqësisë të zgjerohet, të rrisë punësim dhe gjithashtu të mbjellat. Aktualisht skema e subvencionit të naftës përcakton si përfitues të naftës falas fermerët e kulturave bujqësore, si: bimë arash, misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum, grurë, tërshërë, thekër, duhan, panxhar, pambuk dhe bimë aromatike-mjekësore; dru-frutorë, perime e të tjerë.