Aktualitet

Nafta falas, rreth gjysma e fermerëve përfitues kanë gati kartat!

Pas mbylljes së afatit të aplikimeve më 30 mars të këtij viti, për përfituesit synohet shpërndarja e shpejtë e kartave për naftë falas për mekanizimin e punimeve ndërsa ka filluar sezoni i mbjelljeve në bujqësi. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ishte në Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë Durrës, ku ndoqi nga afër këtë proces dhe bashkëbisedoi me fermerët për lehtësitë që përfitojnë nga Skemat e Mbështetjes, ku gjithashtu përfshihet nafta falas. Ministrja vuri në dukej se, procesi ka ecur shumë shpejt pas mbylljes së aplikimeve më 30 mars 2022, me shqyrtimin e aplikimeve për rreth 3 mijë e 600 fermerë ndërsa kanë gati kartat për 1 mijë e 500 prej tyre. Po ashtu, vijon procesi për pjesën tjetër.

Jam shumë e lumtur që ne kemi mundësinë sot të bëjmë realitet në Katundin e Ri, ku ishim pak kohë më parë bashkë me kryeministrin Edi Rama, për të pasur mundësinë që ne të përthithim fondin e naftës menjëherë për fermerët, pikërisht tani që ata kanë nevojë për të kryer punimet e mekanizuara, për punimet pranverore.

Skema e naftës falas është një nga masat më të mirëpritura për fermerët pasi i jep atyre mundësi të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit, aq më tepër në këtë periudhë të vështirë krijuar nga rritja e çmimeve të importuara. Fondi shtesë nga buxheti i shtetit, në kuadër të Paketës së Rezistencës ka arritur në 1.45 miliard lekë për masën e naftës pa taksa. Krifca deklaroi:

E kemi shumë të rëndësishme që të fokusohemi tek prodhimi bujqësor vendas, ndaj kjo mbështetje ofrohet duke iu dhënë fermerëve litra naftë falas, vetëm për punime të mekanizuara në bujqësi.

E pranishme në këtë takim, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako vlerësoi ecurinë procesit dhe shprehu angazhimin e institucionit që drejton për të përshpejtuar punimet me projektin e ri në sektorin e bujqësisë, për ngritjen e një qendre të re grumbullimi të prodhimeve bujqësore në Durrës, e cila i vjen në ndihmë fermerëve të gjithë qarkut Durrës.