Aktualitet

Nafta me çmimin më të lartë në 14 vjet!

Çmimet e naftës u rritën në nivelin më të lartë që nga viti 2008, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se po diskutojnë me aleatët për embargo të mundshme mbi furnizimet ruse. Nafta e papërpunuar Brent, që përdoret si standard ndërkombëtar, kapi vlerën e mbi 139 dollarëve për fuçi, përpara se të binte sërish nën 130 dollarë.

Shtrenjtimi ka prekur edhe vendin tonë. Me naftën që nga e shtuna u tregtua me 230 lekë litri, duke shënuar një tjetër rekord të ri, konsumatorët shqiptarë, sidomos ata që lëvizin me makina, preken në mënyrë direkte. Përballë reagimit qytetar, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, doli me një deklaratë ku theksonte se “ndikimin më të madh e krijoi çmimi në bursat ndërkombëtare”. Sipas shoqatës, “faktor kryesor është lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Moskës”.

Ditët e fundit ka një tronditje të tregjeve të energjisë, nisur nga frika për furnizime, çka u nxit nga pushtimi rus i Ukrainës. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “administrata Biden po shqyrton embargon mbi furnizimet ruse me naftë”. Në një tjetër reagim nga Shtetet e Bashkuara, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, deklaroi se “po shqyrtojnë ligjin për ndalimin e importit të naftës ruse”, që sipas Pelosit “do ta izolonte edhe më shumë Rusinë nga ekonomia globale”.

Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë, që nga koha kur nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin dha urdhrin, me pretendimin se nuk mori garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet drejt lindjes.
Situata lëkundi menjëherë tregjet e energjisë. Në javën që lamë pas, çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit me më shumë se 20% javën e kaluar. Sot, tregjet e aksioneve në Azi u hapën më poshtë: Nikkei i Japonisë dhe Hang Seng i Hong Kongut ranë me më shumë se 3%.