Bota

NATO del me zotimin për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të saj!

NATO është zotuar të “forcojë ndjeshëm aftësitë e saj parandaluese dhe ato të mbrojtjes”, me Aleancën që miratoi një “koncept të ri strategjik”, duke paralajmëruar Rusinë se duhet “menjëherë” të tërhiqet nga Ukraina. Udhëheqësit nga 30 vende anëtare janë takuar në Madrid për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë, mbështetjen për Kievin, si të luftohet presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, si dhe rishikimi i strategjive të NATO-s e rritja e forcave ushtarake.

Duke përcaktuar një plan për kërcënimet dhe sfidat, Aleanca premtoi të “mbrojë çdo centimetër të territorit të saj”, ndërsa nënvizoi një qëndrim parandalues dhe mbrojtës, bazuar në një përzierje të aftësive të mbrojtjes bërthamore, konvencionale e asaj raketore.

Përtej Rusisë, Koncepti i ri Strategjik i Aleancës e përshkroi gjithashtu Kinën si një sfidë për interesat, sigurinë dhe vlerat tona. Pekini kërkon të minojë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kjo përfaqëson ndryshime themelore në mbrojtje dhe se ishte hera e parë që nga Lufta e Ftohtë, që plane të tilla hynin në fuqi.

Përmes video-lidhjes, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u tha liderëve të NATO-s në Madrid, se Ukraina ka nevojë për më shumë armë të rënda dhe më shumë mbështetje financiare, për t’u përballur me pushtimin rus në Ukrainë, duke paralajmëruar se ambiciet e Moskës nuk do të ndalen në këtë shtet.

Neve na duhet të ndalim avantazhin e artilerisë ruse…neve na duhen më shumë sisteme moderne, artileri moderne. Kjo nuk është luftë që ka nisur nga Rusia vetëm kundër Ukrainës. Kjo është luftë për të diktuar kushtet në Europë, për mënyrën si do të duket e ardhmja në botë.

Zelensky bëri thirrje edhe për më shumë ndihmë financiare, duke thënë se Ukrainës i duhen 5 miliardë dollarë në muaj për mbrojtje kundër agresionit rus. Po ashtu, kërkoi më shumë sanksione ndaj Rusisë, masa do t’ia pamundësojnë këtij shteti sigurimin e parave për luftë.