Rajoni

NATO dhe UNMIK-u reagojnë mbi deklaratën e Vuçiçit për largimin e tyre!

“Të gjitha vendimet në NATO, përfshirë ato për KFOR-in merren në dakordësi me të 30 vendet anëtare”. Ky është qëndrimi i Aleancës Veri-Atlantike pas deklaratës së presidentit serb, Aleksander Vuçiç se një vend i fuqishëm do të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e KFOR-it nga Kosova.

Misioni ynë i KFOR-it ka për bazë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë!

Vuçiç bëri të ditur se më 17 maj do ta diskutojë çështjen me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg kur të takohet në Bruksel. Sipas tij, tërheqja e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova do të ishte katastrofë.

Sa i përket ndryshimeve në UNMIK, Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, një zëdhënëse deklaroi se “kërkojnë vendimin e Këshillit të Sigurimit”.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Sanam Dolatshahi deklaroi:

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 12-44 (1999) përcakton mandatin e prezencës civile ndërkombëtare dhe atë të sigurisë në Kosovë dhe si e tillë, çdo rregullim i Misionit kërkon vendim të Këshillit të Sigurimit!

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas tërheqjes së forcave serbe. Ndërkaq, UNMIK-u, nisi punë një vit më pas, në 2000-in.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008-ën, UNMIK-u ia ka dorëzuar shumicën e përgjegjësive të tij Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, (EULEX).