Rajoni

NATO e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovën e veriut!

NATO është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun me shumicë serbe e ku protestohet kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, të zgjedhur më 23 prill, në votime me pjesëmarrje tepër të ulët. Prej rreth një jave, protestohet në komunat e Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut, ndërsa të hënën u plagosën dhjetëra vetë, mes tyre 30 ushtarë të KFOR-it, gjatë përleshjeve me protestues serbë. Shefi i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, sot vuri në dukje se 700 trupat e para përforcuese, tashmë janë rrugës për në Kosovë.

NATO do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar e ulur tensionet.

Jens Stoltenberg foli për gazetarët në prag të një takimi të ministrave të Punëve të Jashtëm të NATO-s, në kryeqytetin norvegjez Oslo.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën prej datës 26 maj kur policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hynin në zyrat komunale, pavarësisht rezistencës së banorëve lokalë.

NATO vendosi të rriste me 700 trupa shtesë, misionin paqeruajtës prej 4 mijë efektivësh në Kosovë. Kjo pasi 30 paqeruajtës të KFOR-it u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit, më 29 maj.

Stoltenberg theksoi se dhuna kundër trupave të NATO-s është “krejtësisht e papranueshme”.

Pas bisedës së djeshme me kolonelin e trupave amerikane të KFOR-it dhe kërkesave të Listës Serbe, misioni i NATO-s dislokoi forcat e veta në pesë pika në qendër të Zveçanit. Kryetari i kësaj partie, Goran Rakiç deklaroi se kjo është bërë me qëllim që “të parandalohet hyrja e njësisë speciale të Policisë së Kosovës e të mos ndodhë ndonjë incident”.

Forcat e KFOR-it janë të pranishme në rrugët e Zveçanit që nga pasditja e djeshme, por zyrtarisht nuk konfirmohet se arsyeja lidhet me parandalimin e Policisë së Kosovës. Rakiç tha se pret që KFOR-i të mbrojë popullin që proteston.