Rajoni

NATO e shqetësuar për paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor!

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, shprehet se “Aleanca Veri-Atlantike është e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë”. Smith përsërit qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin e Kosovës në organizatat dhe institucionet europiane apo euroatlantike. Ne besojmë se vendet duhet të kenë të drejtën të përcaktojnë bashkimin dhe anëtarësimin e tyre. Ne sigurisht që do të mbështesnim lëvizjen e Kosovës drejt programit të Partneritetit për Paqe.

Nuk ka votim me shumicë të cilësuar. Të gjitha vendimet merren mes nesh, 30 anëtarëve. Ky është termi që ne përdorim e të 30 shtetet duhet të bien dakord për këtë. Pra, ky do të jetë një vendim që do të duhet të merret me konsensus nëse Kosova vendos të përpiqet të ecë drejt Partneritetit për Paqe.

Ndihmë lidhur me anëtarësim në Partneritetin për Paqe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kërkoi edhe nëpërmjet një letre që i dërgoi presidentit amerikan, Joe Biden, në mars të këtij viti. Qeveria e Kosovës ka formuar një grup pune për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe, program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe të tjera vendeve në Europë.

Partneriteti për Paqe ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe e të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.

Programi përfshin pothuajse çdo fushë të aktivitetit të NATO-s, si: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje ndaj emergjencave civile e katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë e mjedis. Në përgjithësi janë rreth 1 mijë e 600 aktivitete.

Aktualisht, pjesë e Partneritetit të Paqes janë 21 shtete. Pranimi i çdo anëtari të ri bëhet me vendimin unanim të 30 shteteve të Aleancës, në një votim që zhvillohet në Këshillin e Atlantikut.