Bota

NATO: Shenja se Rusia mund të ketë kërkuar armatim nga Kina!

Kina e mohon, por NATO thotë se ka parë disa shenja që tregojnë se Rusia ka të ngjarë të ketë kërkuar armatim vdekjeprurës nga Pekini për të forcuar luftën e Moskës në Ukrainë. Kështu deklaroi sot sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg. Sot në një konferencë shtypi në Bruksel, zyrtari i lartë u shpreh:

Ne nuk kemi parë asnjë provë që Kina po i dërgon Rusisë armatim vdekjeprurës, por kemi parë disa shenja se kjo ka qenë një kërkesë nga Rusia dhe se kjo është një çështje që konsiderohet në Pekin nga autoritetet kineze.  Kina nuk duhet t’i sigurojë Rusisë armatim vdekjeprurës. Kjo do të ishte mbështetje e një lufte të paligjshme.

Komentet e shefit të NATO-s erdhën pasi presidenti i Kinës,  Xi Jinping u takua me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë. Që kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, shteti kinez ka pretenduar pa’anshmëri në konflikt, por i bëri jehonë retorikës së Kremlinit duke fajësuar NATO-n për konfliktin. Gjithashtu, vendi aziatik refuzoi të dënojë pushtimin dhe mbështeti Moskën financiarisht duke rritur ndjeshëm blerjet e karburantit rus.

Stoltenberg tha se vizita shtetërore tre-ditore e Xi-së në Moskë sinjalizon lidhjet më të ngushta që po zhvillohen mes Kinës e Rusisë në vitet e fundit.

Ne shohim si Kina dhe Rusia po afrohen gjithnjë e më shumë në fushën ushtarake me stërvitje të përbashkëta, patrulla të përbashkëta, patrulla detare e ajrore. Po ashtu në fushën ekonomike dhe gjithashtu në fushat politike e diplomatike.

CNN shkruan:

Pra, takimi në Moskë është pjesë e atij modeli ku Kina dhe Rusia po punojnë gjithnjë e më ngushtë e po ndërtojnë një partneritet më të fortë.  Kjo është vizita e parë e presidentit Xi në Moskë pas 6 vitesh dhe deri tani, Kina është përpjekur që të mbajë një qëndrim neutral lidhur me luftën ruse në Ukrainë, por Perëndimi nuk bindet.