Aktualitet

Ndalen investimet, shtohen shitjet/ Pjesa dërmuese e ndërmarrjeve shqiptare janë biznes me pak punëtorë

Ndërmarrjet kanë shtuar shitjet neto dhe kanë ulur investimet sipas anketës së kryer nga INSTAT për vitin 2021.

Tek ndërmarrjet nuk përfshihet sektori i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit.

Në Shqipëri operojnë gjithsej 104.031 mijë ndërmarrje që prodhojnë të mira dhe shërbime, një rritje me 1,4 % nga viti pandemik.

Struktura e ndërmarrje në pjesën më të madhe përbëhet nga sektori i tregtisë me 38,3% ndjekur nga shërbimet me 24,6% të totalit. Pjesa më e vogël përfaqësohet nga industria nxjerrëse dhe kompanitë energjike, ndërsa nga prodhuesit e të mirave peshën më të madhe e mban sektori i përpunimit dhe ndërtimit.

Indikatorët kryesorë si xhiroja e bizneseve është rritur në volum me 23,5%, gjithashtu edhe numri i të punësuarve nga ndërmarrjet u rrit me 3%, por bizneset ndalën investimet në masën 10%. Rënia e investimeve është parë dhe tek struktura e kredisë ku bizneset më së shumti kanë marrë overdrafte për të pasur likuiditet dhe jo për të blera pajisje dhe makineri.

Tregtia dhe sektori i energjisë elektrike kanë kontribuar më shumë në rritjen e xhiros, si edhe tek numri i njerëzve që kanë punësuar.

Në Shqipëri ndërmarrjet me 1-4 punonjës janë 85.9% e numrit total të ndërmarrjeve, ndërsa me mbi 50 të punësuar përbëjnë vetëm 1.3%.