Sport

Ndalesa e radhës në Formula 1, gara në Miami!

Emocionet në Kampionatin Botëror të Formulës 1 vazhdojnë me garën e pestë të sezonit që tashmë e ka radhën të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çmimi i Madh i Miami-t do të jetë me 57 xhiro, në Pistën Miami, e gjatë 5.4 kilometra. Xhirot për renditjen fillojnë sot në 22:00 me orën lokale, ndërsa gara është nesër më 8 maj në orën 21:30, po me atë lokale.

Deri më tani Charles Leclerc nga Ferrari dhe Max Verstappen nga Red Bull kanë fituar nga dy gara. Pesë vendet e para të klasifikimit të pilotëve dhe ekipeve janë si më poshtë:

Klasifikimi i pilotëve

1. Charles Leclerc (Monako): 86 pikë
2. Max Verstappen (Holandë): 59
3. Sergio Perez (Meksikë): 54
4. George Russell (Britani e Madhe): 49
5. Carlos Sainz (Spanjë): 38

Klasifikimi i ekipeve

1. Ferrari: 124
2. Red Bull: 113
3. Mercedes: 77
4. McLaren: 46
5. Alfa Romeo: 25

Piloti britanik Lewis Hamilton duket larg kohëve të arta, që me fitore dhe shumë rekorde u shfaq në perfeksion në vitet 2014-2020.  Momenti më zhgënjyes ishte vendi i 13-të nga Hamilton në garën e fundit në Imola, me britanikun që për herë të dytë u kalua nga Max Verstappen. Ishte pikërisht holandezi i Red Bullit, i cili një sezon më parë i dha fund edhe mbretërimit të Hamiltonit në Formulën 1. Por cilat janë shkaqet e dështimit të Mercedesit? Nëse për Nico Rosberg fajtor është Lewis Hamilton, për Fernando Alonson mungesa e rezultateve ka ardhur për shkak të makinës së re W13. Kjo rihap debatin e famshëm, nëse në F1 ka më shumë rëndësi makina apo piloti?

Fernando Alonso është i bindur se makina ka një rol thelbësor.

Lewis po drejton shumë mirë, por kjo nuk mjafton. Kështu ka funksionuar gjithmonë në Formulën 1!

Sipas spanjollit, makina Mercedes që tashmë po e penalizon Hamiltonin, ka qenë edhe çelësi i fitoreve në sezonet e kaluara.

Kur Ayrton Senna dominonte, kishte makinën më të shpejtë. E njëjta gjë vlen edhe për mua apo Michael Schumacher, si dhe për Lewis Hamiltonin, i cili ka thyer çdo rekord për pilotë me pole position dhe fitore, falë një makine superiore.