Politikë

Ndarje e thellë në mbledhjen e grupit demokrat, Alibeaj: Deputetëve iu kërkova kriteret e Presidentit, të hënën rimblidhemi

Pas dy orësh diskutime ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të PD. Para selisë blu, kryetari i Komanduar Enkelejd Alibeaj, tha pas mbledhjes në selinë blu se deputetët janë në të njëjtin mendim për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, por duke theksuar se nuk duhet të përdoren prej tij.

Duke theksuar se mbledhja e sotme ishte informuese, Alibeaj deklaroi se u kërkoi deputetëve të paraqesin kriteret për profilin e Presidentit të ri, ndërsa bëri me dije se të hënën do të zhvillohet një tjetër mbledhje.

“Kjo ishte mbledhja e parë ku u diskutua për axhendën parlamentare. U diskutua për çështjen e komisioneve të posaçme që përbëjnë lëndë të parë për grupin opozitar. U diskutua edhe për presidentin. Dua të falenderoj të gjithë kolegët për sensin e përgjegjshmërisë për të përballur këtë lloj procesi që teston qasjen e PD. Secili deputet dha opinionin e vetë. Së pari në aspektin organizativ ne do kemi një mbledhje tjetër të hënë.

Do kemi dhe konsultim edhe me kryesinë e grupit parlamentar. Të gjithë deputetëve iu kërkua që në lidhje me këtë proces të zgjedhjes së presidentit të ofrojmë kriteret për president, si e imagjinojnë ata. Vlerat dhe virtytet që duhet të ketë qytetari i parë i vendit. Të marrin pjesë në proces, por të mos përdoremi. Marrja pjesë në proceset parlamentare është një detyrim kushtetues dhe ndaj zgjedhësve tanë. Është një detyrim që duhet t’ia përmbushim. Duke kërkuar që të sjellin në kushtet e normalitetit institucional, një pjesë të vogël të Presidentit. Ky ishte sensi i përgjegjësisë, që edhe për këtë proces, prezenca dhe pjesëmarrja jonë të jetë e tillë që të nderojnë aspiratat e njerëzve që na votojnë. Kurrësesi që të jemi fasadë. Në vijim të kësaj, secili nga kolegët, deri të dielën, janë të ftuar të japin sugjerimet e veta. Si e imagjinojmë ne se si do jetë Presidenti i ri. Vura re një sens përgjegjësie të madhe që ndanë 2 çështje, të mos jemi fasadë në këtë proces. Lidhur me komisionet u kërkova që të sugjerojnë”, tha mes të tjerash Alibeaj.

“Diskutimi në mbledhje është lidhur kryesisht me krizën e brendshme të PD. Ende nuk ka dakordësi mes palëve se si do të zgjidhet kjo krizë. Ndërkaq nesër është thirrur mbledhja e Këshillit Kombëtar për të diskutuar për negociatat për mbledhjen e presidentit të ri”.

I pyetur për këtë Alibeaj tha se nuk e njeh këtë mbledhje, duke bërë të qartë edhe njëherë qëndrimin e tij ndaj Komisionit të Rithemelimit.

Në fokus të diskutimeve në mbledhje ka qenë zgjedhje e Presidentit të ri dhe nëse opozita duhet të bëhet pjesë e këtij procesi apo jo. Disa prej deputetëve të pranishëm në këtë mbledhje pohuan se ishin dakord që të merrnin pjesë në procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri, duke kërkuar kështu negociata me maxhorancën.