Aktualitet

Ndërgjegjësim për rregullat e qarkullimit, autobusi mbi Lanë, nuk do të zhvendoset!

Zbardhen detaje nga aksidenti i mbrëmshëm në zonën e Unazës në kryeqytet përballë Shallvareve ku autobusi i linjës përfundoi në Lanë. Dyshohet se shkak për ngjarjen u bë humbja e kontrollit nga autobusi i drejtuar nga 62-vjeçari Muhamet Kyçuku. Mjeti qarkullonte në korsinë e mesit kur për shkak të mungesës së kontrollit, nuk arriti të qëndrojë në stacion.

Për të shmangur përplasjen me mjete të tjera që po lëviznin në këtë aks, shoferi nxorri autobusin nga rruga, fillimisht duke u përplasur me një makinë tip “Benz” që drejtohej nga 27-vjeçari Jurgen Rama, i cili lëvizte paralelisht në korsinë e djathtë. Më pas, makinat u përplasën me nje pemë dhe përfunduan në lumin Lana. Nga aksidenti morën lëndime të lehta 6 persona. Pritet ekspertimi teknik i autobusit për të kuptuar se kush e shkaktoi humbjen e kontrollit. Autobusi mbi Lanë nuk do të zhvendoset, por do të qëndrojë si instalacion për të ndërgjegjesuar qytetarët të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Një aksident me vdekje u regjistrua sot në Shëngjin, në vendin e quajtur Knalla. Mësohet se një mjet doli nga rruga dhe për pasojë ndërroi jetë drejtuesi i makinës, Armando Pacani, 19-vjeç. Pasagjeri që udhëtonte me të mbeti i plagosur e ndodhet në spital.

Një aksident hekurudhor është shënuar mesditën e sotme, në Fushë Mamurras, ku treni i linjës Tiranë-Shkodër u përplas me një kamion. Si pasojë e përplasjes, kamioni u batua mbi shina, ndërsa fatmirësisht nuk pati të lënduar. Policia në vendngjarje po punon për të zbardhur shkaqet.