Sociale

Ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe institucioneve për mbrojtjen e mjedisit

Disa dhjetëra të rinj nga zona e Nënshkodrës u bashkuan sot në zonën e mbrojtur Lumi Buna-Liqeni i Shkodrës në një aksion për pastrimin e mbeturinave të hedhura përgjatë bregut të tyre, një përpjekje kjo për ndërgjegjësimin e komuniteteve lokale për mbrojtjen e mjedisit të përbashkët natyror.

Të rinjtë janë pjesë e karitasit ndërdioqezan të Shkodrës, shoqatës “The Door”, klubit “Taraboshi” dhe komisionit “Drejtësi e Paqe”.

Nënshkodra është zona fundore ku përshkohen të gjithë mbeturinat dhe, sipas banorit Viktor Kola, më pas përfundojnë në bregdetin e Velipojës.

“Situata është problematike, sidomos me mbetjet plastike që deti i nxjerr në pjesën e rërës. Pjesa e derdhjes së Bunës ka një sasi të jashtëzakonshme të mbetjeve plastike. Para dhjetë ditëve, kur pati një stuhi dhe prurje shumë të madhe të Lumit Buna, mbetjet ishin të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Stina e vjeshtës paralajmëron rrezikun e përmbytjeve për banorët e dhjetëra fshatrave të zonës fushore të Nënshkodrës, përmbytje të cilat shoqërohen shpesh edhe me një ndotje të madhe të mjedisit natyror.

Shishe plastike apo çfarëdolloj mbeturine e hedhur në rrugë, sipas drejtorit të Karitasit, dom Gjovalin Simoni, përfundon në tokat dhe shtëpitë e banorëve të Nënshkodrës dhe, më pas, në bregdetin e Velipojës.

“Edhe pse jemi në fillimin e vjeshtës dhe nuk i dihet çka do të sjellë ardhja e dimrit përsa i takon përmbytjeve, ngjarje të tilla lusim Zotin të mos kemi. Lumi Buna, nga njëra anë është bekim për atë zonë, edhe pse shumë pak shfrytëzohet, por nga ana tjetër, shpeshherë, shkarkimi pa kriter i disa inerteve dhe mbetjeve e bën të pakëndshme, të pabukur, dhe e gjithë kjo shkarkohet edhe në det”, thotë dom Gjovalin Simoni.

Sipas pjesëmarrësve në aksionin e sotëm për pastrimin e një pjese të bregut të Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna, ndotja e mjedisit natyror, nga hedhja e mbeturinave urbane, dëshmon për nevojën e ndërgjegjësimit të qytetarëve, por edhe të institucioneve mbi domosdoshmërinë e mbrojtjes së mjedisit.

Sezoni veror i këtij viti evidentoi probleme të shumta në lidhje me trajtimin e mbeturinave urbane në disa bashki të Shqipërisë, përfshirë bashkinë e Shkodrës ku, për katër ditë me radhë, në pikun e sezonit turistik, mbeturinat urbane mbetën pa u pastruar për shkak të një mosmarrëveshje mes bashkisë dhe kompanisë së pastrimit të plehrave.

Ndaj, sipas përfaqësuesit të komisionit “Drejtesi e Paqe”, Luigj Mila, aksioni i sotëm i të rinjve është një apel për të gjithë.

“Është një shembull pozitiv që duhet t’i ndërgjegjësojë të gjithë për mbajtjen pastër të këtyre mrekullive që Zoti na i ka dhuru me bujari. Shkodra është shumë e bukur, ka një natyrë të jashtëzakonshme dhe, nëse ne nuk e bëjmë sot për vete, duhet t’a bëjmë për brezat e ardhshëm, nëse nuk e bëjmë për shqiptarët, duhet t’a bëjmë edhe për të huajtë që na vizitojnë çdo vit edhe më shumë”, thotë zoti Luigj Mila.

Zona e mbrojtur Lumi Buna-Liqeni i Shkodrës është nga më të rëndësishmet për shkak të ndikimit të saj në jetën e përditshme të banorëve që jetojnë pranë brigjeve të tyre, por edhe për biodiversitetin e këtij pellgu ujor që ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.