Aktualitet

Ndërhyrjet nga ajri, shmangin rrezikun e zjarreve në Dropull!

Vihet nën kontroll zjarri në pjesën e Gjirokastrës, por po përparon drejt perëndimit për nga Finiqi, si dhe Parku i Syrit të Kaltër. Avionë grekë dhe një i Forcave të Armatosura po punojnë për shuarjen e flakëve. Për mjetin e ushtrisë shqiptare, raportohet se mëngjesin e sotëm kreu të paktën 12 fluturime.

Zjarri po shkon drejt shuarjes totale në zonën e Dropullit, ku dhe u shfaq një ditë më parë. Operacionit të forcave shqiptare operacionale iu bashkuan dy avionë nga Greqia. Fatmirësisht, u shmang rreziku për banesat, por dëmet në pyje e kullota vlerësohen “të konsiderueshme”.

Në përditësimin e situatës së zjarreve në vend, një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi për 18 vatra në 24 orë, dy prej të cilave ende aktive në veri: në fshatrat Ndërshen e Bogë, respektivisht në bashkitë Mirditë e Malësi e Madhe.  Ky dikaster përsërit apelin drejtuar qytetarëve që të raportojnë menjëherë për çdo vatër, pasi ndërhyrja në kohë e bën më të menaxhueshme situatën, duke mundësuar vënien e flakëve nën kontroll më me lehtësi.

Çdo njoftim i juaj për vatrat e zjarreve apo fatkeqësi të tjera do të vërë menjëherë në lëvizje sistemin e mbrojtjes civile, duke bërë aktivizimin e forcave operacionale ne nivel vendor dhe qendror, ne mënyrë që ato të izolohen sa më parë, për të mos rrezikuar të çojnë në dëme të pallogaritshme. Gjithashtu, rikujtojmë se zjarret e qëllimshme ose nga pakujdesia dënohen sipas ligjit.

Zjarret janë një shqetësim i përsëritur çdo sezon veror në vendin tonë, nga veriu në jug e duke mos kursyer as zonat bregdetare, në jo pak raste janë kthyer në bezdisje për pushuesit, edhe për shkak të tymit. Era e fortë e temperaturat e larta që favorizojnë përhapjen, si edhe terreni i thyer që vështirëson ndërhyrjet nga toka, ndikojnë në zgjerimin e vatrave e lufta me flakët bëhet më impenjative.