Aktualitet

Ndërpriten fluturimet në Aeroportin e Kukësit, do të rinisin në shkurt

Prej dy muajsh fluturimet përmes aeroportit ndërkombëtar të Kukësit janë ndërprerë.

Dy kompanitë ajrore “Air Albania” dhe “Helvetas” nuk kanë programuar fluturime të tjera dhe sipas drejtorit të aeroportit Altin Progonati kjo ndërprerje ka të bëjë me rënien e fluksit të fluturimeve apo edhe udhëtarëve për sezonin e dimrit.

Fluturimet pritet të rinisin në fund të muajit shkurt, që sipas drejtorit Progonati, pritet të shtohen me dyfish apo trefish të tyre e po aq edhe shtimi i destinacioneve të tjera.

Megjithëse nuk ka fluturime, në aeroportin e Kukësit punohet cdo ditë me kapacitet të plotë të punonjësve, pasi sipas drejtuesve ka punë të tjera që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen në aeroport.

Drejtori thotë se aeroporti i Kukësit është certifikuar që ditën e parë dhe s’ka vend për spekulime rreth procesit apo operacioneve të fluturimit, duke nënvizuar se është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare.

Aeroporti i Kukësit nisi operacionet e fluturimeve në datën 9 qershor të këtij viti me dy kompani ajrore, “Helvetas” të Zvicrës dhe “Air Albania” të Shqipërisë me destinacionet Zyrih dhe Stamboll.

Me festë kuqezi, daulle, flamuj në duar, kështu u prit ulja e avionit të parë në Aeroportin e Kukësit ‘Zayed, Flatrat e Veriut’ ku udhëtarët e parë kanë qenë emigratë nga Londra së bashku me kryeministrin Edi Rama.

Avioni “Air Albania” u nis nga Londra ku mori emigrantë shqiptarë në Britaninë e Madhe, më pas është ndalur fillimisht në Rinas ku kanë marrë kryeministrin Edi Rama dhe fluturimi ka vijuar drejt Kukësit. Qytetarët në Kukës kishin krijuar një atmosferë festive dhe i kanë pritur me lodra, flamuj dhe me shumë entuziazëm.

Nga aeroporti kryeministri duke folur për inaugurimin e Aeroportit të ri në këtë qytet, deklaroi se  është një ditë e veçantë për shqiptarinë. Këtu iu përgjigj të gjitha akuzave duke thënë se ai nuk është 3D ndërsa shtoi se ndjen kënaqësi të zbresë nga një aeroport i cili tani është bërë real.

“Unë jam real dhe aeroporti është real. Ma kanë lexuar librin e shtëpisë me pasion, sa herë që flisja për aeroportin e Kukësit. Njëri quhej Edi Rama dhe ishte PD-në, ishte real edhe ai. Gjatë e kishte Eduard, por e thërrisnin Edi Rama. E takova këtë që më shante, e i thashë si e hëngre këtë rrenë. Më tha ta shohim deri në fund a e mban dot llafin. Tjetri që fola ishte demokrat e tha e mbajte llafin. I treti më tha se a ka vend për patronazhist te PS se nuk kthehem më. Sot një ditë e veçantë për shqiptarinë”, tha Rama atë ditë.

Gjatë fjalës së tij Rama ka shpjeguar edhe pse aeroporti mban emrin “Zayed – Flatrat e Veriut”, duke kujtuar faktin se në Kukës qëndruan shqiptarët e dëbuar nga regjimi kriminal serb i kohës. Emri “Zayed” është në nderim të emrit të familjes së princit të kurorës së Emirateve të Bashkuara, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë, është përkujdesur për të sjellë ndihma të konsiderueshme.

Destinacionet e para të fluturimeve në Aeroportin e Kukësit do të jenë fillimisht me disa qytete të Zvicrës, Gjermanisë por edhe Italisë. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha me heret se ky aeroport do të sjellë një nxitje të ekonomisë dhe punësimit për të gjithë rajonin e veriut. Duke sqaruar se pse avioni i cili erdhi nga Londra u ul fillimisht në Rinas, Balluku thotë se Shqipëria respekton rregullat, dhe thotë se momentalisht aeroporti është operacional. Më tej ajo garanton se nga ky moment koncesionari vijon punën me kompanitë, dhe nga 17 qershori do të jetë totalisht i përdorshëm nga të gjithë kompanitë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e veriut” ka një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e tij të vrojtimit, ndërsa në pjesën e vendqëndrimit të avionëve, është projektuar për të mbajtur 3 avionë njëkohësisht, ndërkohë që brenda një ore mund të nisen 4 avionë nga aeroporti i Kukësit. Terminali zë një faqe prej 3500 m2, ka 2 portat hyrëse dhe brenda saj edhe një zonë muzeale në përkujtim të luftës së Kosovës, e cila ishte edhe pikënisja e këtij aeroporti, si dhuratë e Emirateve të Bashkuara për të pritur ndihmat për refugjatët.