Aktualitet

Ndërron jetë aktori Enea Zhegu, Tomka i filmit “Tomka dhe shokët e tij”!

Pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare aktori Enea Zhegu, i angazhuar në kinematografinë shqiptare në moshë të mitur, për të lënë pas jo shumë role, por që të gjitha “të paharrueshme” e ndër më të mirët të kinemasë për fëmijë.

Në Shqipëri u njoh e do të vazhdojë të mbahet mend si Tomka te “Tomka dhe shokët e tij”, prodhim i vitit 1977 që mban vulën e Xhanfize Kekos, kur ende ishte nxënës i klasës së shtatë.

Por, para se të vinte “i përjetshmi” Tomka, ishte regjisori Dhimitër Anagnosti, i cili e donte dhe e bëri pjesë në filmin “Lulëkuqet mbi mure”, si Lelo i strehës vorfnore në Shqipërinë e pushtuar nga fashistët në Luftën e Dytë Botërore.

Dhe në të njëjtin vit me Tomkën, Enea Zhegu do të ishte edhe Ziguri te “Njeriu me Top” i regjisorit Viktor Gjika.

Emocionet e sheshxhirimeve u ndërprenë me “Një jetë më shumë” të Gëzim Erebarës. Ishte viti 1986 e më tej jeta si emigrant në Greqi dhe Itali për t’u rikthyer në Tiranë me një aktivitet të vetin. Zhegu nuk e vazhdoi rrugën e aktrimit edhe pse rreth 10 vjet më parë, më 2013-ën pati një rol në serialin Millenium të regjisorit Besnik Bisha.