Bota

Ndërron jetë gazetari legjendar i CNN-it Larry King

COVID-i i merr jetën ikonës së medias amerikane, Larry King. Gazetari legjendar i CNN-it ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare, siç njoftohet në profilin e tij në Twitter. Mësohet se prej një muaji ishte shtruar në Cedars Sinai Medical Center të Los Angeles-it.

Fatkeqësisht nuk ia doli t’i mbijetojë komplikacioneve shëndetësore nga koronavirusi. Për 25 vite nga 1985 deri më 2010, drejtoi talk show-n e natës Larry King Live në CNN dhe së fundmi programin Larry King Now në dy kanalet online Hulu e RT America ku gjithashtu shfaqej me talk show-n e së dielës, Politicking.

King ishte një pacient i rrezikuar nga COVID-i për shkak se vuante nga diabeti. Në vitin 2020, në harkun kohor të tre javëve ai humbi djalin Andy nga një infarkt kardiak dhe vajzën Chaia për shkak të një tumori në mushkëri.