Bota

Ndërron jetë ish-presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf/Mbështeti Amerikën pas 11 shtatorit!

Pas një sëmundjeje të rëndë, u shua në moshën 79-vjeçare ish-presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf.  Gjenerali, i cili mori pushtetin përmes grushtit të shtetit në vitin 1999, kurohej në Dubai, vend ku qëndronte që prej vitit 2016.

Më parë u ka shpëtuar tentativave të shumta për eliminim fizik dhe si drejtues e gjeti veten në vijën e parë të betejës mes islamistëve militantë e Perëndimit. Musharraf mbështeti “luftën kundër terrorit” në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në tokën amerikane. Këtë e bëri pavarësisht shumë kundërshtimeve të brendshme në Pakistan.

Mbi dy vjet më parë, një gjykatë në vendin e tij vendosi të përmbysë vendimin për ta dënuar me vdekje ish-kreun e shtetit, duke e cilësuar këtë proces si “jokushtetues”. Gjenerali Musharraf kishte sfiduar formimin e Gjykatës Speciale që e pati shpallur “fajtor për tradhti”.

Më pas, Gjykata e Lartë në Lahore të Pakistanit mbështeti ish-drejtuesin e lartë në azil, i cili qëndroi në krye të shtetit në vitet 2001-2008. Prokurori sqaroi se mbi bazën e atij vendimi, Musharraf ishte “njeri i lirë”, pa probleme me drejtësinë edhe pse nuk përjashtohej përfundimisht mundësia që ky rast të mund të dërgohej në rigjykim.

Ai u padit për vendimin e marrë më 2007-ën, vit kur pezulloi Kushtetutën e Pakistanit, si dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një përpjekje të dëshpëruar që të zgjaste mandatin e tij në krye të shtetit.

Në vitin 2008, Pervez Musharraf humbi në zgjedhje dhe pas 6 muajve u detyrua të largohej nga Pakistani, për t’u rikthyer më 2013-ën kur kërkoi të garonte përsëri, por nuk u lejua e madje u arrestua nga autoritetet pakistaneze që i dolën kundër.