Celebrities Film & Tv

Ndërron jetë komediani i njohur amerikan, Bob Saget/Yll i serialit “Full House”!

Komediani dhe aktori amerikan, Bob Saget, ndërroi jetë në moshën 65-vjeçare. I bërë i famshëm me rolin e patriarkut Danny Tanner në serialin televiziv “Full House”, Saget mbylli sytë, siç konfirmon familja e tij në një deklaratë për CNN-in.

Me dëshpërim konfirmojmë se Bob-i ynë i dashur ndërroi jetë sot. Ai ishte gjithçka për ne dhe duam që ju ta dini sa shumë i donte fansat, duke performuar live e bërë bashkë njerëz nga të gjitha sferat e jetës, përmes të qeshurave. Edhe pse kërkojmë privatësi në këtë moment, ju ftojmë të bashkoheni me ne, për të kujtuar dashurinë dhe të qeshurën që Bob solli në botë!

Saget u gjet i pajetë në një dhomë hoteli në Ritz-Carlton Orlando, Grande Lakes. Hetuesit nuk gjetën shenja dhune, të përdorimit të drogave apo diçka të dyshimtë e po kryhen ekzaminime për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Një natë para se të ndërronte jetë kishte performuar në turin “I Don’t Do Negative Comedy Tour”. Ai ishte në gjysmë dhe spektakli duhej të vijonte me ndalesa në Nju Jork, Kanada e vende të tjera.

I njohur për humorin e hollë, në një intervistë të korrikut 2021, komediani tregonte se karriera e tij mori një kthesë të papritur.

“Full House” erdhi rastësisht. U pushova nga CBS dhe më kërkuan të isha pjesë e “Full House”.

Përveç punës në televizion, Saget ishte një “stand-up comedian”. Tiparet e tij mund të shihen në filma si “The Aristocrats”, duke eksploruar konkurrencën mes komedianëve, për të treguar versionin më “të pistë”, të së njëjtës shaka. Deri në fund u prezantua si një djalë që në thelb është 9-vjeç e që kishte një dëshirë të madhe për t’i vënë eprorët në vështirësi me shakatë e tepruara.