Aktualitet

Ndërron jetë në spital Aldi Rama, autori i vrasjes së oficerit të policisë, Saimir Hoxha!

Ndërron jetë në spital Aldi Rama, autori i vrasjes së djeshme në Lezhë të oficerit të policisë, Saimir Hoxha. Gjatë aksionit policor për kapjen e tij, 21-vjeçari qëlloi veten me armë dhe më pas u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë ku nuk mbijetoi pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve. Ai qëlloi për vdekje 44-vjeçarin Saimir Hoxha, i cili ishte në krye të detyrës në zonën e Kune-Vainit, në një operacion për asgjësimin e parcelave me kanabis. Nënkomisari do të shpallet Dëshmor i Atdheut ndërsa në nder të tij, sot në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet, zhvillohen homazhe në orarin 12:00-15:00.

Dje në Kune-Vain, viktima dhe dy kolegë shkuan për të asgjësuar një parcelë me 110 bimë kanabis. Në kthim, u ndeshën me një automjet të ndaluar, me tre persona. Drejtuesi e pasagjeri në krah të tij dolën jashtë por kur nënkomisari Hoxha i kërkoi dokumentet 21-vjeçarit Aldi Rama, i cili ishte në sediljen e pasme, ky i fundit refuzoi dhe e qëlloi me plumba në qafë e gjoks.

Oficeri ndërroi jetë rrugës për në Spitalin Rajonal të Lezhës, ndërsa Rama mori automjetin e teksa u largua me shpejtësi, rrezikoi edhe jetën e dy kolegëve të tjerë të Hoxhës. I riu rezultonte i dënuar më parë për prodhim e shitje narkotikësh, si dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Ai ishte rritur nga gjyshërit e mësohet se prindërit i kishte të divorcuar. Para se të ndodhte ngjarja e rëndë, jetonte në shtëpinë e xhaxhait, në lagjen “Skënderbeg” të Lezhës. Ceremonia mortore mund të zhvillohet në Durrës ku jeton nëna e 21-vjeçarit.

Ata e qëlluan nga mbrapa duke i çarë një gomë të automjetit dhe Rama u detyrua ta braktisë makinën duke u fshehur disa orë në një zonë me bimësi të dendur, i rrethuar nga forcat RENEA, të cilave iu kundërpërgjigj duke shtënë në ajër. Më pas qëlloi veten e nuk dihet nëse aksidentalisht apo me qëllimin për t’i dhënë fund jetës.

Në dëshminë para policisë, shokët e Aldi Ramës, Armando Marku dhe Kristian Sheri, të cilët ishin në makinë me të kur ndodhi ngjarja, treguan se në vendin ku i gjeti policia, kishin shkuar për të pirë hashash. Ata deklaruan se nuk ishin në dijeni që Aldi kishte pistoletë me vete dhe se ishte me masë sigure “Arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje, pasi e takonin shpesh jashtë ambienteve të shtëpisë. Marku e Sheri pritet të dalin nesër para gjykatës.