Aktualitet Rajoni

Ndërron jetë nga një sulm në zemër ish-ministri grek i mbrotjes, i cili u dënua me 20 vite burg për pastrim parash!

Ish -ministri grek i mbrotjes, Akis Tsochatzopoulos, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare si pasojë e një sulmi në zemër. Ai po përballej me probleme serioze shëndetësore dhe u shtrua në një spital privat në Kastella ku dhe ndërroi jetë.

Ai ishte deputet dhe minisitër i PASOK-ut nga viti 1981 deri në 2004, ndërsa në 1996 ai kandidoi për postin e kryeministrit pas dorëheqjes së Andreas Papandreu. Më 11 Prill 2012 ai u arrestua me akuzën e pastrimit të parave dhe më 7 Tetor 2013, u dënua me 20 vite burg dhe u mbyll në burgun e sigurisë së lartë, atë të Koridalos, pranë Athinës, por u lirua  më 2 Korrik 2018, për shkak të problemeve shëndetësore.

Politikani kishte organizuar një sistem kompanish “Off shore” dhe llogari në Zvicër për të pastruar paratë dhe për të blerë prona në Greqi. Ai u arrestua së bashku me gruan e tij Vicky Stamati, e cila u dënua me 12 vite  por u lirua për shkak të depresionit. Stamati dhe Tsochatzopoulos, para arrestimit, ishin një nga çiftet më të njohur të Athinës dhe bënin një jetë shumë luksoze.