Politikë

Ndërron jetë pas një sëmundje të rëndë, ish deputetja e PS-së, Edlira Haxhiymeri

Ndahet nga jeta ish-deputetja e Partisë Socialiste dhe profesoresha Edlira Haxhiymeri. Lajmi i trishtë është bërë me dije nga familjarët. Haxhiymeri vuante nga një sëmundje e rëndë prej pesë vitesh dhe nuk mundi të fitojë betejën.

“Të dashur familjarë dhe miq, me pikëllim të madh ju njoftoj se nëna ime e shtrenjtë, Edlira Haxhiymeri, ndërroi jetë. Ju falenderoj për ndihmesën dhe mbështetjen që na keni dhënë gjatë më shumë se 5 viteve tejet të vështira ku luftuam me çdo mjet e mënyrë për të mposhtur sëmundjen e saj. Lamturia e fundit për Edën tonë të dashur është nesër në varrezat e Tufinës. Nisja e kortezhit është në ora 11:00 nga shtëpia funerale Alba 2000”, shkruan djali në një postim në rrjetet sociale.

Edlira Haxhiymeri, pedagoge e shquar e Universitetit të Tiranës ka shërbyer si deputete e Partisë Socialiste vite më parë. Ajo ka mbajtur gjithashtu postin si sekretare organizative në selinë rozë. Vitet e fundit ajo ishte kthyer në një zë të fuqishëm kritik.

Presidenti Meta ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta të ish deputetes së PS-së profesoreshes Edlira Haxhiymeri ditën e sotme.

“Pikëllues lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të pedagoges së përkushtuar për mbi tre dekada, studiueses dhe ish-deputetes së Partisë Socialiste, Edlira Haxhiymeri”, shkruan Meta në facebook.

Postimi i presidentit Meta:

“Pikëllues lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të pedagoges së përkushtuar për mbi tre dekada, studiueses dhe ish-deputetes së Partisë Socialiste, Edlira Haxhiymeri.

Personalitet në shkencat sociale dhe arsimin shqiptar, model i vlerave të larta qytetare dhe pedagogjike, shembull i thjeshtësisë, korrektesës dhe integritetit, do t’i jemi përherë mirënjohës për kontributin e vyer të dhënë për progresin e shoqërisë dhe të politikës shqiptare.

Ngushëllimet më të ndjera familjes, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë”, shkruan Meta.