Aktualitet

Ndërtim pa leje në Llixha të Elbasanit, mes 8 personave në pranga edhe dy inspektorë!

Lejuan ndërtimin e paligjshëm të një godine 5000 m2, në zonën e mbrojtur në Llixha, pranga dy inspektorëve të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Elbasan. Donald Ziu 28-vjeç dhe Alian Zabeli 34, janë dy të arrestuarit “Për shpërdorim detyre”. Gjithashtu, u arrestuan 6 punëtorë “Për ndërtim të paligjshëm”, ndërsa u shpall në kërkim Todi Puka, i dyshuar po “Për ndërtim të paligjshëm”. 64-vjeçari rezulton të jetë pronar i kompleksit me sipërfaqe të madhe, të ngritur në zonën e mbrojtur, në kundërshtim me ligjin.

Njoftimi i policisë:

Në kërkim është shpallur pronari i hotelit, 64-vjeçari me iniciale T.P.,  pasi ka ndërtuar një kompleks me sipërfaqe të madhe, në një zonë të mbrojtur, pa lejen e organeve kompetente. Janë vënë në pranga 28-vjeçari me iniciale D. Z dhe 34-vjeçari me iniciale A. Z., me detyrë inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Po ashtu janë arrestuar shtetasit: I. Ç., 33 vjeç, Xh. P., 23 vjeç, K. Gj., 35 vjeç, A. D., 39 vjeç, Sh. V., 35 vjeç dhe K. M., 21 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna nga strukturat hetimore të DVP Elbasan, për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”.