Sport

Ndeshja e së premtes, Reja: “Në Angli për të marrë maksimumin!”

“Shqipëria do të shkojë në Angli për të marrë maksimumin”. Në një konferencë shtypi nga Durrësi ku është grumbulluar ekipi kombëtar për dy sfidat e fundit në kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”, kundër Anglisë dhe Andorrës, kjo u nënvizua sot nga trajneri i Kombëtares, Edy Reja.

Do të shkojmë në Angli për të marrë maksimumin dhe rezultat, sepse e kemi këtë synim që të bëjmë ndeshje sa më të mira. Humbja në shtëpi ndaj Polonisë e kompromentoi pjesën për të shkuar në play-off, por matematika na e lejon, pavarësisht se luajmë ndaj Anglisë do të shkojmë të luajmë dhe të paraqitemi sa më mirë.

Sa i përket dy mungesave si Manaj dhe Balliu, Reja u shpreh:

Kam folur me Manajn dhe kemi menduar që të bënte pak pushim se nuk ka qenë në formë shumë të mirë fizike dhe nuk ka pasur shumë mundësi për minutazh te klubi. Ndërsa Balliu ka një problem shëndetësor, kam folur me të dhe do t’u nënshtrohet sërish testeve, kemi vendosur bashkarisht që mos të ishte në grumbullim. Kisha shumë dëshirë ta kisha, por më duhet që ta shtyj për një herë tjetër. Doja që ta provoja por gjendja e tij ishte e dobët për momentin. Kemi pasur edhe mungesa të tjera si Gjimshiti, por do të mundohemi të japim më të mirën e mundshme me këta lojtarë që kemi.

Lidhur me objektivin e Kombëtares, tekniku italian u zotua për impenjim maksimal në dy ndeshjet e mbetura, qoftë më Anglinë apo Andorrën për të shpresuar deri në fund.

Shpresojmë që Hungaria të na japë një dorë duke ndalur Poloninë. Lojtarëve do t’u kërkoj të japin maksimumin, pasi duam pikë. Pasi të mbarojnë këto dy ndeshje do të bëjmë analizat tona për të parë çfarë kemi bërë mirë apo keq. I vetmi zhgënjim që kam ishin humbjet me Poloninë, pasi nuk e merituam humbjen, në ndeshjen më të rëndësishme që ishte dhe më e rëndësishmja në histori, patëm shumë probleme, me dëmtimet me COVID-in, më erdhi shumë keq dhe jam i irrituar që nuk kisha lojtarë në stol për të bërë zëvendësime.

Nëse do të barazonim me Poloninë do të kishim shumë shanse, por tani bëhet e vështirë. Kisha menduar që nëse do të arrinim në kuotën e 19 pikëve, do të kishim më shumë shanse në Play-off, por meqë matematika na e lejon do ta provojmë deri në fund.

Kemi marrë dy fitore dhe ishim afër ëndrrës Play-off, në rast se do ta mbyllim me 18 pikë fazën do të ishte mjaft mirë, por më vjen keq që nuk arritëm të shkonim në Play-off. U kushtëzuam nga disa episode, nga disa gabime individuale, mund të bënim më mirë.

Më 12 nëntor, Shqipëria do të përballet në Uembli kundër Anglisë, që është edhe kundërshtari më i fortë në grupin kualifikues të Botërorit.  Kuqezinjtë renditen të tretët në Grupin I me 15 pikë, 2 më pak se Polonia e vendit të dytë.