Sport

Ndeshja me San Marinon, trajneri Reja këshillon!

Një ditë para ndeshjes me San Marinon, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”, Edy Reja u tërheq vëmendjen kuqezinjve. Në konferencën për shtyp, trajneri tha se “përballja është përcaktuese”, duke e ditur që një fitore e mundshme na ngjit në vendin e dytë, kuptohet me mundësinë e madhe që Polonia të dalë e humbur nga ndeshja me Anglinë.

Na ka ndodhur shpesh që pas një fitoreje i marrim lehtë ndeshjet. Ndaj San Marinos do ta kemi të vështirë, pasi është ekip i organizuar. Duhet të kemi përqëndrim e të bëjmë lojë të mirë. Duhet t’i lëmë sa më pak hapësira, janë të rrezikshëm.

Eshtë ndeshje përcaktuese dhe nuk mendoj për ndeshjen e Polonisë ndaj Anglisë, shoh vetëm sfidën tonë. Kemi konkurrentë të fortë në këtë grup. Kemi Hungarinë, e keni parë që është e fortë fizikisht. Edhe Polonia është e fortë, ka cilësi.

Reja e sheh në rritje Shqipërinë

Kemi pasur rritje, mendoj që çelësi është ndryshimi i mentalitetit. E kam thënë edhe pas ndeshjes me Hungarinë që sulmuesi është mbrojtësi ynë i parë. Kemi bërë edhe gabime, që duhet t’i analizojmë sa më mirë, duhet të kemi përqëndrimin e duhur e nëse ia dalim do të luajmë shanset tona deri në fund.

Ndaj San Marinos priten risi në formacion

Abrashi dhe Gjasula nuk do të jenë. Do të shoh si luan San Marino për të zgjedhur formacionin. Do të shoh deri në darkë gjendjen e lojtarëve, pasi kanë marrë ca goditje. Sigurisht ata që do të rikthehen do të na japin një dorë, Hysaj Bare e Manaj.

Kushdo që luan duhet të japë maksimumin. E pamë, Broja hyri nga stoli dhe shënoi. Janë shumë ndeshje, tre në 7 ditë e jo të gjithë e përballojnë. Shpresoj të jenë sa më të karikuar ndaj San Marinos. Kundërshtarët e radhës janë shumë të dhënë ndaj Kombëtares dhe shpresoj të japin më të mirën!

Grumbulloj gjithmonë 5 sulmues. Të shohim për Cikalleshin dhe Balajn, nëse nuk kanë probleme fizike, të shohim sepse nuk e kam problemin e zgjedhjeve. Me Hungarinë, praktikisht kemi luajtur me tre sulmues. Sulmuesit duhet të sakrifikojnë shumë, si shembulli i Balajt e Uzunit. Mua më pëlqejnë sulmuesit që sakrifikojnë dhe ndihmojnë mbrojtjen dhe jo ata sulmues që qëndrojnë vetëm në sulm.

Për të marrë fitoren, Reja thekson se duhet të bëjnë një ndeshje të madhe:

Dua lojën dhe tri pikët. San Marino është skuadër e fortë, nuk do ta kemi të lehtë, pavarësisht se në letër jemi favoritë.

Tekniku italian kujton që ndeshjen e parë me San Marinon, u deshën 70 minuta për të arritur tek goli i parë.