Sport

Ndeshjet me Hungarinë e Poloninë, Reja shpall listën!

Janë 25 futbollistë të grumbulluar për dy ndeshjet shumë të rëndësishme të kualifikueseve të Botërorit “Katar 2022”, me Hungarinë në transfertë më 9 tetor e kundër Polonisë, më 12 tetor në “Air Albania”.

Në listën e publikuar sot nga Federata Shqiptare e Futbollit, bie në sy se trajneri Edy Reja ka zgjedhur të rikthejë mbrojtësin Ivan Balliu, i cili po kalon formë mjaft të mirë në La Liga me Rayo Vallecano-n. Ndryshe nga takimet e shtatorit, për shkak dëmtimesh mungojnë mesfushorët Amir Abrashi e Qazim Laçi, ndërsa këtë herë, tekniku italian ka në dispozicion edhe futbollistët  Ermir Lenjani, Kastriot Dermaku e Frederic Veseli, të cilët munguan në ndeshjet e fundit për shkak të problemeve fizike. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon.

Kombëtarja grumbullohet nesër në Durrës e Reja do të dalë në konferencë shtypi për të shpjeguar zgjedhjet e bëra.

Pas 6 ndeshjesh në “Grupin I” kualifikues, Shqipëria renditet e dyta, me 12 pikë, një më shumë se Polonia e vendit të dytë e dy më tepër se Hungaria e të tretit. Dy sfidat e këtij muaji janë vendimtare për “Katar 2022”. Ndeshjen e parë, Shqipëria e fitoi 1-0 kundër Hungarisë, ndërsa Polonia na mposhti 4-1.