Sport

Ndeshjet me Izraelin e Islandën, flasin Ajeti e Seferi!

Nga dje, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit ka nisur grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të dy sfidave të fundit të Ligës së Kombeve ndaj Izraelit në transfertë (24 shtator) e Islandës në “Air Albania” (27 shtator). Për të folur në lidhje me këto dy ndeshje të rëndësishme për Shqipërinë, dy futbollistët e Kombëtares, Arlind Ajeti dhe Taulant Seferi dolën sot në një konferencë për media. Ata theksuan se “këto dy ndeshje janë vendimtare për Kombëtaren kuqezi” dhe se “skuadra do të japë maksimumin”.

Arlind Ajeti rikthehet me Kombëtaren pas disa muajsh, teksa mbrojtësi kuqezi vlerëson ftesën nga stafi kuqezi dhe shprehet se ai do të jetë gati të luajë nëse trajneri e vendos në formacion. Duke folur për përgatitjen e ndeshje, Ajeti theksoi se “janë ndeshje vendimtare dhe ne akoma nuk kemi filluar të përgatitemi, por kemi mjaft kohë për t’u përgatitur dhe do bëjmë maksimumin tonë”.

Izraeli është një kundërshtar i fortë. E kemi parë edhe në ndeshjen e parë. Do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen me Izraelin dhe mundësisht edhe të marrim tre pikë.

Taulant Seferi, sulmuesi shqiptar i cili është transferuar në Ukrainë që nga ky sezon, pas aventurës me Tiranën shprehet se ndihet në formë të mirë për momentin. Seferi u shpreh se fokusi i skuadrës për momentin është tek Izraeli e më pas Islanda.

Për formacionin unë nuk mund të them asnjë fjalë pasi vendos trajneri dhe ai e di më mirë. Izraeli është një kundërshtar i fortë dhe në fushën e tyre janë shumë agresivë, por do të punojmë këto gjashtë ditë që kemi para ndeshjes dhe do të shohim edhe pikat e dobëta të Izraelit dhe do të sulmojmë aty ku duhet. Fokusi ynë është te Izraeli, sepse është ndeshja e parë. Do ta përgatisim Izraelin maksimalisht dhe pastaj do flasim për ndeshjen e radhës.