Bota

Ndihma për Ukrainën, shefi i NATO-s Stoltenberg: Nuk ndalemi!

“Aleanca nuk do të heqë dorë nga mbështetja për Ukrainën”. Kështu u shpreh shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa u bëri thirrje partnerëve që këtë dimër të ndajnë më shumë ndihmë për Kievin. Kryeqyteti ukrainas rrezikohet nga përballja me mot të ftohtë e ndërprerje të energjisë, si pasojë e sulmeve ruse në rrjetin elektrik.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan në Bukuresht për t’u fokusuar në rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, përfshirë sistemet ajrore për mbrojtje dhe municionet. Diplomatët po shqyrtojnë mundësinë e rritjes së ndihmës edhe për pajisjet dimërore e mjekësore.

NATO-ja do të vazhdojë ndihmën për Ukrainën aq sa të ketë nevojë. Ne nuk do të tërhiqemi. Fokusi kryesor është mbështetja e Ukrainës dhe të sigurohemi që presidenti rus, Vladimir Putin të mos fitojë.

Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi qytetarët për sulme të reja ruse këtë javë e që mund të jenë po aq të rënda sa ato të javës së kaluar, duke lënë miliona njerëz pa ngrohje, ujë dhe energji. Rusia e pranon se po sulmon infrastrukturën ukrainase, por deklaron se nuk shënjestron civilët.

“Do të jetë një dimër i tmerrshëm për Ukrainën, ndaj ne duhet të rrisim mbështetjen”, – tha një zyrtar i lartë europian. Gjermania që ka presidencën e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7), organizoi një takim të këtij grupi, për të shqyrtuar mënyra si mund të rindërtohet infrastruktura ukrainase e energjisë.

G7-a përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia. Uashingtoni po bashkëpunon me disa kompani amerikane të shërbimeve të energjisë dhe me shtete europiane, për të ndihmuar në rregullimin e stacioneve energjetike të dëmtuara nga sulmet ruse.

Por, Departamenti Amerikan i Shtetit nuk e bën të ditur llojin e saktë të ndihmës e as shumën e ndarë. Franca dhe Gjermania njoftuan se do të dërgojnë më shumë se 100 gjeneratorë të energjisë në Ukrainë, për të ndihmuar në stabilizimin e rrjetit. “Arsyeja pse Rusia vazhdon këto krime lufte është se po humbet në fushëbetejë”, – komentoi një zyrtar francez, referuar sulmeve në infrastrukturën e energjisë.