Aktualitet

Ndihmoi autorin e vrasjes së 21 majit në Kavajë, pranga një 29-vjeçari!

Përkrahu autorin e krimit të 21 majit në Kavajë, ku në një lokal mbeti i vrarë Arian Gosa, pranga një 29-vjeçari.  Nga hetimi rezultoi se ndihmoi Habib Rexhën të largohej nga vendngjarja, duke e marrë me makinën e tij. Automjeti iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale. 29-vjeçari akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 21 maj në një lokal, ku mbeti i vrarë një shtetas, bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë ndaluar shtetasin E. K., 29 vjeç, banues në Kavajë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka ndihmuar autorin e vrasjes, shtetasin H. R. (i ndaluar ditën e djeshme) që të largohej nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit, duke e marrë në automjetin e tij.

Automjeti u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Habib Rexha, i cili mori hak për vëllanë e tij, Altin Rexha të vrarë po në Kavajë pak muaj më parë nga vëllai i viktimës, Edmond Gosa, u dorëzua në polici. Edhe Edmond Gosa mbeti i vrarë, pasi Rexha e qëlloi për vdekje pak para se të ndërronte jetë.

Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe ato të DVP Tiranë, për kapjen e autorit të vrasjes së shtetasit A. G., të kryer më datë 21.05.2023, ju informojmë se krahas kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Habib Rexha, strukturat e Policisë negociuan dhe me familjarët me qëllim dorëzimin e këtij shtetasi. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.