Bota

Ndikimi i padisë penale të Nju Jorkut mbi hetimet e tjera ndaj ish-presidentit Trump!

Krijohen shqetësime se mund të minojë besimin e publikut, padia penale ndaj ish-presidentit Trump. Ajo lidhet me dyshimet mbi pagesat e bëra prej tij gjatë fushatës presidenciale të 2016-ës, për të blerë heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, me të cilën supozohet se ka patur lidhje intime. Ekspertët e demokracisë i shohin si hetime shumë më të rëndësishme.

Padinë nga një juri e madhe e Nju Jorkut, Jeffrey Engel, drejtor i Qendrës për Historinë Presidenciale në Universitetin Metodist Jugor, e konsideron “hap të parë të vogël të gjërave që do të pasojnë”.

Gjëja kryesore ka të bëjë me demokracinë dhe identitetin e vendit tonë.

Disa ekspertë shprehin shqetësimin se akuzat mund të tërheqin vëmendjen e publikut nga rastet e tjera, të cilat janë më të përqëndruara në sulmet kundër institucioneve dhe traditave demokratike të vendit.

Larry Diamond, në Institutin Konservator Hoover në Universitetin e Stanfordit, shprehet i shqetësuar se akuzat e ngritura në Nju Jork do të shkaktojnë politizimin e të gjitha akuzave të tjera kundër tij e keqpërdorim të gjyqësorit.

Padia ka bashkuar mbështetësit e Trump-it, si në nivelin e bazës së Partisë Republikane ashtu edhe në mesin e atyre që mbajnë poste publike. Donald Trump përhap idenë se hetimet janë politike dhe synojnë të minojnë fushatën e tij ndërsa ka filluar një përpjekje të tretë për t’u bërë president. Prokurorët e përfshirë në hetimet ndaj tij, i cilësoi si “njerëz që rrezikojnë demokracinë”.

Mes atyre që dënojnë padinë është edhe Prokurori i Përgjithshëm i Virxhinias Perëndimore, republikani Patrick Morrisey:

Një gjueti politike shtrigash dhe një ndjekje penale politike. E vetmja arsye që po e bëjnë këtë është sepse janë të frikësuar. Ata e dinë që nuk mund ta mposhtin në kutitë e votimit. Kjo është arsyeja pse po përdorin këto taktika të tmerrshme.

Sondazhet tregojnë se shumica e republikanëve ende mbështet pretendimin e rremë të Trump-it se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 u vodhën. Eksperti i demokracisë, Larry Diamond thotë se padia e Nju Jorkut nuk do t’i ndërpresë hetimet e tjera ndaj Trump-it.

Rastet e tjera thjesht nuk do të zhduken dhe mendoj se për hir të mbrojtjes së sistemit tonë kushtetues e mbrojtjes së shtetit ligjor, ato duhet të kenë peshën më të madhe në mendjen e publikut.

Roscoe Howard, një ish-prokuror federal në Distriktin e Kolumbias, deklaroi:

Asnjë prokuror në këtë vend nuk e dërgon në gjyq një çështje që mendon se mund ta humbasë. Ata thjesht nuk e bëjnë këtë.