Aktualitet

Ndjekje penale efektivit që rrëzoi drejt greminës gazetaren Anila Hoxha/Reagon ministri Çuçi!

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi reagoi sot lidhur me incidentin e djeshëm me gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha.

Efektivi i policisë është larguar nga detyra. Drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA-së kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj, efektivi do të ndiqet penalisht.

I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj gazetaren Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie, të mos heshtin, por t’i denoncojnë! I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero!

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e policisë SH.T. Ndërkohë, kryepolici Gledis Nano urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershëm të hetimit administrativ, me qëllim sqarimin e rastit. Një reagim pati edhe SHÇBA, që njofton se ka nisur një inspektim për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të punonjësve të Policisë së Shtetit, që nuk kanë shfaqur sjellje etike.

Incidenti me gazetaren Anila Hoxha ndodhi dje pasdite, gjatë raportimit për rrëmbimin e vrasjen e biznesmenit të inerteve Ruzhdi Hoxha, i cili u gjet i pajetë në Qafë-Mollë, pas Malit të Dajtit dhe si autor dyshohet shoku i tij, Fredi Rrushi, i arrestuar ditë më parë, si i kërkuar në Itali për trafik droge. Ndërkaq, sot u njoftua arrestimi si bashkëpunëtor i vëllait të tij, Pajtim Rrushi.