Aktualitet

Ndodh edhe në Tiranë/ Qeni kafshon një grua, dënohet pronari!

Një burrë i cili braktisi qenin e tij ndërsa kishin dalë për shëtitje në liqenin artificial të Tiranës, sot mund të ishte duke bërë burg.

Qytetari me inicialet Th. M, u përball me një proces gjyqësor ,ku akuzohej se ai braktisi qenin e tij, dhe si pasojë kafsha lëndoi një shtetase e cila kishte dalë shëtitje me qenin e saj po në zonën e liqenit artificial.

Si pasojë e kafshimit, zonja në fjalë, për 9 ditë nuk ishte në gjendje pune, ndërsa mori trajtim edhe në spital.

Mësohet se shtetasja E.V ndodhej tek Liqeni Artificial i Tiranës për shëtitje me qenin. Ndërkohë që pranë saj është afruar një kafshë shtëpiake, qen, i cili ishte i shoqëruar nga i pandehuri Th.M. Në një moment, qeni e ka kafshuar në parakrahun e djathtë shtetasen. Pas kësaj ajo ka shkuar në Spitalin e Traumës ku dhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore.

Pasi shqyrtoi gjithë faktet, gjykata vendosi që të shpallë fajtor të Th. M për kryerjen e veprës penale “Braktisja e kafshës së shoqërimit”, të parashikuar nga neni 207/a/l i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) muaj burgim.

Por duke qenë se i pandehuri është një person pa precedent penalë e që nuk përbën kërcënim për shoqërinë, u vendos si përfundim zëvendësimi i dënimit me burgim me detyrimin për të kryer një punë në interes publik, për një kohë prej 40 orësh.

Gjykata çmon se, izolimi i të pandehurit nga shoqëria do të sillte një dëm në jetën personale dhe familjare të të pandehurit dhe nuk do të ndihmonte aspak në arritjen e qëllimit kryesor të dënimit, edukimin dhe rehabilitimin e tij, por do të kthehej në një ndëshkim dhe shpagim, thuhet në arsyetimin e gjykatës.