Celebrities

Ndodh në Korenë e Veriut, Kim Jong Un shpërblen spikeren e lajmeve me shtëpi luksoze

Ri Chun Hi, spikerja më e famshme e televizionit shtetëror të Koresë së Veriut, është bërë vetë temë e mediave zyrtare të Koresë së Veriut, pasi lideri Kim Jong Un i dhuroi asaj një banesë luksoze, duke shpërblyer kështu besnikërinë e spikeres veterane.

78-vjeçarja për më shumë se 50 vite ka raportuar lajme për koreano-veriorët, si vdekja e babait të regjimit komunist Kim Il Sung në 1994, apo testet e para bërthamore në 2006.

Apartamenti ndodhet në një kompleks të ri banimi në Penian, kryeqytetin e Koresë së Veriut. Ka sallon, dhomë ndenje, kuzhinë, studio, dhomë gjumi.

Të gjitha ashtu si një hotel, tha Ri Chun Hi sipas televizionit shtetëror, duke shtuar se ajo dhe anëtarët e familjes kanë qarë në shenjë mirënjohjeje të thellë, gjatë gjithë natës. Lideri koeranoverior i ulur mes familjes, i tha gruas se ajo ishte “një nga thesaret e kombit”.

Krahas dhuratës për të, spikeren e lajmeve shtetërore, ishin edhe festimet e ditës së 15 prillit. Në fakt, inaugurimi i kompleksit rezidencial është një nga ngjarjet që këtë vit shënon 110-vjetorin e lindjes së themeluesit të Koresë së Veriut Kim Il Sung, gjyshit të liderit aktual të regjimit.

Apartamentet do të shkojnë për ata që janë dalluar për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit.

Lajmet vijnë ndërsa shteti komunist po përballet me varfëri ekstreme dhe mungesë elementare të ushqimeve.

Kjo mungesë ka bërë që lideri suprem, Kim Jong-un të paralajmërojë qytetarët që duhet të hanë më pak ushqim deri në vitin 2025, pra për të paktën 3 vite, kohë kur është parashikuar që të rihapet edhe kufiri me Kinën.

Qytetarët koreano-veriorë janë të shqetësuar mbi këtë situatë, sipas tyre do ta kenë shumë të vështirë ta përballojnë, sidomos periudhën e dimrit.

Mungesa e ushqimit është një emergjencë. Kur autoritetet u thonë atyre se duhet të konservojnë dhe konsumojnë më pak ushqim deri në vitin 2025, ata nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të ndjejnë dëshpërim të madh”, tha një qytetar.