Food & Drink Lifestyle

Ndodh pas 30 viteve, gjermanët ‘heqin dorë’ nga qumështi!

Qumështi, gjalpi dhe djathi po konsumohen më pak. Arsyet për këtë janë çmimet e larta dhe bumi i alternativave me bazë bimore. Vitin e kaluar, gjermanët pinin më pak qumësht sesa kishin pirë për më shumë se 30 vjet. Konsumi i qumështit për frymë ka arritur në rreth 46.1 kilogramë, që korrespondon me një rënie prej 1.9% krahasuar me një vit më parë. Kjo është vlera më e ulët që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1991, siç raportohet nga Instituti Federal për Bujqësi dhe Ushqim (BLE).

Konsumi i gjalpit dhe djathit është gjithashtu në rënie. Shifrat tregojnë se edhe konsumi i produkteve të tjera të qumështit është në rënie, për shembull, konsumi vjetor i gjalpit ra me 12.6% dhe vitin e kaluar arriti në afro 5.3 kilogramë për frymë. Konsumi i djathit gjithashtu ka rënë, nga 25.3 kilogramë në 2021 në 24.6 kilogramë vitin e kaluar. Vetëm produktet e qumështit me proteina, të përdorura për shembull në ushqimet sportive dhe përzierjet e pjekjes, shënuan rritje në konsumin për frymë me gati 4% në 610 gram.

Sipas BLE, rënia e konsumit të qumështit vjen si pasojë e rritjes së çmimit të qumështit si dhe rritjes së shitjeve të produkteve zëvendësuese të qumështit me bazë bimore, si për shembull qumështi i tërshërës. Ka 1900 ferma qumështi më pak se një vit më parë. Rënia e konsumit të qumështit po ndikon edhe në prodhimin e qumështit në Gjermani. Sipas BLE, sasia e qumështit të prodhuar vitin e kaluar ra me më shumë se 6% në rreth 4.2 milionë tonë.

Kështu, numri i fermave me lopë qumështi ra nga 54.800 në 52.900, sipas të dhënave të BLE. Numri i lopëve u zvogëlua me rreth 23000 krerë, që do të thotë se çdo fermë qumështore kishte mesatarisht 72 lopë qumështore. Nga ana tjetër, rendimenti mesatar vjetor i qumështit për lopë u rrit sërish lehtësisht, nga 8481 kilogramë në 8499 kilogramë.