Bota Tech

Ndodh përsëri, Twitter jashtë funksioni!

Rrjeti social “Twitter Inc” u ndërpre sot për mijëra përdorues në të gjithë globin, për të dytën herë që nga muaji shkurt i këtij viti. Sipas faqes së gjurmimit “Downdetector.com”, pati më shumë se 27 mijë incidente të njerëzve që raportuan probleme me Twitter-in në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përdorues në vende të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Meksikën, Brazilin dhe Italinë, gjithashtu raportuan se Twitter nuk funksiononte.

Individët që tentonin të përdornin platformën e mediave sociale u përballën me një mesazh që theksonte: “Tweet-et nuk po ngarkohen, provo përsëri!”. Nuk ishte e qartë se çfarë e shkaktoi ndërprerjen. Twitter nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Twitter në shkurt, pesë muaj më parë pësoi një ndërprerje që pezulloi shërbimet për disa mijëra përdorues të tij. Më vonë, njoftoi se rregulloi një defekt softuerësh. Ndërkohë, aktualisht ka të tjera zhvillime që i paraprijnë asaj që ndodhi sot.

Të premten e kaluar, miliarderi Elon Musk u tërhoq nga synimi për ta blerë platformën, duke kthyer pas ofertën në vlerë 44 miliardë dollarë. Ai nuk e fshehu shqetësimin për numrin e vërtetë të llogarive false dhe ka bindjen se është shumë më i lartë nga sa deklarohet zyrtarisht nga drejtuesit e kësaj platforme.

Një gjë e tillë “ndezi gjakrat”. Ndonëse Musk u shpreh i gatshëm të paguajë gjobën në vlerën 1 miliard dollarë, Twitter nuk pranoi dhe u kundërpërgjigj me padi. Para se të tërhiqej, ai premtonte ta shndërronte platformën në një strehë të sigurt të fjalës së lirë, por tani këto plane “i ka marrë era”. Tashmë u hap një kapitull i ri në sagën Musk-Twitter e pritet të shihet ecuria e procesit gjyqësor në një gjykatë të Delauerit, e specializuar në këto lloje gjyqesh.