Aktualitet

Ndryshime në Polici, Tonin Vocaj bëhet zv.drejtor i Përgjithshëm/Neritan Nallbati në krye të Policisë Kriminale!

Ndryshime në rangun e lartë drejtues të Policisë së Shtetit. Ato i paraqiti Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano, në prani të zëvendësministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Kreu i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj kalon në postin e zv.drejtorit të përgjithshëm, në vend të Albert Dervishajt, i cili shkon në Akademinë e Sigurisë. Në krye të Policisë Kriminale, emërohet Neritan Nallbati. Nano deklaroi:

Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Drejtues i Lartë Albert Dervishaj lirohet nga detyra e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm emërohet Drejtor/Dekan në Fakultetin për Hetimin e Krimit në Akademinë e Sigurisë.

Drejtues i Lartë Tonin Vocaj lirohet nga detyra e Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale dhe emërohet zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Drejtues i Parë Neritan Nallbati, deri tani drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, transferohet dhe emërohet Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe i jepet grada Drejtues i Lartë.

Zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, në emër të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi vlerësoi kontributin e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit e kërkoi më shumë angazhim e impenjim për përmbushjen edhe të detyrimeve që paraqiten, në kuadër të hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Nga drejtuesit e lartë të emëruar, kryepolici Nano kërkoi angazhim dhe përkushtim në detyra, me qëllim dhënien e impulseve të reja punës në strukturat që do të drejtojnë. Pak ditë më parë, po me urdhër të ministrit të Brendshëm është liruar nga detyra drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Eduart Merkaj, i cili u emërua në Akademinë e Sigurisë. Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin u caktua Saimir Boshnjaku, i cili ka marrë edhe gradën Drejtues i Lartë.