Bota

Ndryshimet e klimës, miratohet deklarata përfundimtare/BE e OKB “të zhgënjyer”!

Pas negociatave të vështira që e shtynë takimin e së dielës në orar shtesë, Konferenca e Kombeve të Bashkuara për klimën në Egjipt miratoi një deklaratë përfundimtare. Në dokumentin final të konferencës, e njohur si COP27, gati 200 vende rikonfirmuan një vendim të mëparshëm për të hequr gradualisht qymyrin. Megjithatë, në dokument nuk përmendej nafta dhe gazi.

Mosveprimi vjen pavarësisht thirrjeve nga disa vende e ambientalistë për të hequr gradualisht përdorimin e lëndëve djegëse fosile që prodhojnë sasi të mëdha të dioksidit të karbonit që bllokon nxehtësinë. Negociatorët në konferencën globale për klimën në Egjipt ranë dakord të krijojnë një fond të kërkuar prej kohësh për të kompensuar vendet e cënueshme nga klima.

Pagesa e dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike në vendet më të varfra ishte një nga temat më të mprehta të dy javëve të konferencës. Përdorimi i lëndëve djegëse fosile ishte objekt debati gjatë konferencës dy-javore të mbajtur në Sharm el-Sheikh.

Bashkimi Europian shprehu “zhgënjim” për “mungesën e ambicies” në marrëveshjen përfundimtare mbi udhërrëfyesin për reduktimin e emetimeve të CO2. Nënkryetari i Komisionit Europian, Frans Timmermans:

Ajo që kemi nuk është e mjaftueshme për të bërë një hap përpara për popullsinë e planetit. Nuk sjell përpjekje shtesë, të mjaftueshme nga ndotësit kryesorë për të rritur e përshpejtuar emetimet e tyre.

Guterres: “Cop27 nuk trajtoi reduktimin e emetimeve”
​​

Edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u shfaq i zhgënjyer e në një mesazh për mbylljen e Cop27-ës tha:

Ne duhet të reduktojmë në mënyrë drastike emetimet tani dhe kjo është një çështje. COP nuk është adresuar. Një fond humbjeje e dëmi është thelbësor, por nuk përbën një përgjigje ndaj krizës klimatike që fshin një ishull të vogël nga harta ose një vend të tërë afrikan e kthen në një shkretëtirë. Bota ende ka nevojë të ndërmarrë një hap gjigant mbi ambicien për klimën. Vija e kuqe që nuk duhet të kalojmë është vija që e çon planetin tonë përtej kufirit të temperaturës 1.5 gradë.