Aktualitet

Ndryshimet në qeveri, Alibeaj kërkesë për debat në Kuvend!

Deputeti Enkelejd Alibeaj ka dërguar kërkesë në Kuvend për debat në seancën plenare të së enjtes, ku do të votohet për ndryshimet e fundit në qeveri.

Në letrën drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikollës, Alibeaj kërkon që në seancën plenare të ditës së enjte të bëhet debat për ndryshimet e fundit në qeveri pasi sipas tij vendimet nuk duhet të jepen përmes Twitterit.

“Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së kam paraqitur pranë Kuvendit kërkesën për debat në seancën plenare të së enjtes, ku do të votohet për ndryshimet e fundit në qeveri.

Siç ndodh rëndom në të gjjtha rastet kur i duhet të përballet me faktet, Edi Rama udhëron votimin pa debat. Edhe pse është e shkruar qartë në nenin 110 të Rregullores që sanksionon se Kuvendi ia nënshtron debatit parlamentar përbërjen e qeverisë. “Asnjë deputeti, – thotë neni 46 i Rregullores, “që dëshiron të diskutojë për një cështje të rendit të ditës, nuk mund t’i hiqet e drejta e fjalës. “

Është e qartë se kreu i qeverisë dhe marionetat me të cilat ai lëviz fijet e pushtetit i tremben debatit, përballjes me faktet dhe të vërtetën.
Është po kaq e qartë se Edi Rama dhe makiazhi i qeverisë së tij nuk bindin më askënd në Shqipëri. Madje as me besnikët e tij. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që në këtë krizë të thellë që ka përfshirë Shqipërinë në vend të përballjes me faktet, me problemet dhe hallet e përditshme, shqiptarëve u ofrohen debate shterpë që i interesojnë vetëm klaneve të etura për pushtet brenda PS-së.

Ndryshimet e qeverisë të shpallura në twitter, betejat e brendshme në kupolën drejtuese të PS-së për të përfituar dhe abuzuar në kurriz të shqiptarëve janë dhe mbeten mënyra që Edi Rama ka zgjedhur për të larguar vëmendjen nga vetja. Ai është përgjegjës kryesor i varfërisë së shkaktuar nga korrupsioni, i vjedhjes galopante që ka zbrazur xhepat e qytetarëve. Për këtë ai përdor çdo mënyrë për të shmangur debatin publik, përballjen me faktet dhe të vërtetën që shqiptarët e kuptojnë çdo ditë e më shumë”, shkruan Alibeaj.