Aktualitet

Ndryshimet në qeveri, sot seanca e votimit!

Në një seancë plenare të posaçme në orën 17:00, sot në Kuvend votohen ndryshimet qeveritare të dekretuara nga presidenti. Arben Ahmetaj nuk do të jetë më zv.kryeministër, por zëvendësohet me Belinda Ballukun, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë. Si kryenegociatore për BE-në u emërua Majlinda Dhuka, në vend të ambasadorit Zef Mazi. Këto ndryshime u njoftuan në fillim të javës nga kryeministri Rama, në një postim në Twitter, përmes të cilit falënderonte Ahmetajn e Mazin për kontributet e tyre.

Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore&Ministre Shteti pranë kryeministrit.

Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre.

Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin.

Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.

Për kreun demokrat Berisha, “kryeministri lau duart me krimin e tij të shëmtuar”.

Edi Rama, për të larë duart me krimin e tij të shëmtuar, aferën ndër më të mëdhatë në historinë e vendit, aferën e djegësave, ka shkarkuar Arben Ahmetajn.

Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja informoi se “qeveria rrëzoi kërkesën e deputetëve demokratë për debat në seancën e sotme”, pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për ndryshimet.

Arsyeja është e thjeshtë, Rama s’mund të lejojë të dalë zbuluar para të vërtetave, që largimi i disa ministrave lidhet me faktin se gjenden para arrestimit. Vjedhja e inceneratorëve dhe koncesionet nuk do kalojnë paq siç shpreson Rama!