Celebrities Showbiz

Ndryshimi drastik në pamje i yllit të “Squid Game” shqetëson fansat!

Nuk ka asnjë dyshim që “Squid Game” fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm që kur u publikua në muajin shtator. Seriali i Koresë së Jugut është një ‘thriller’ i mbijetesës i vendosur në Seulin e sotëm, ku një grup prej 456 personash janë të ftuar të luajnë një seri lojërash për fëmijë me mundësinë për të fituar një shumë të madhe parash por nëse humbin në lojë, humbin jetën.

Aktorja e njohur e serialit, Jung Ho-yeon tanimë ka marrë fronin si aktorja koreane më e ndjekur në rrjetin social Instagram. Numri i ndjekësve të Jung është rritur nga 400,000 para fillimit të serialit në mbi 23,8 milionë. Megjithatë fansat e saj tashmë kanë një shqetësim lidhur me shëndetin e saj.

Ata ndanë shqetësimin e tyre për shëndetin e aktores pas shfaqjes së saj në mediat sociale, sidomos pasi mori pjesë në “LACMA Art & Film Gala 2021”. Në një intervistë të fundit me Star News, Jung konfirmoi se në fakt kishte humbur shumë peshë kohët e fundit për shkak të programit të saj të ngjeshur nga promovimi i “Squid Game” në Shtetet e Bashkuara. Ajo tha gjatë intervistës se:

Nuk kisha as kohë për të ngrënë gjatë udhëtimeve, paraqitjeve promovuese dhe intervistave. Pra, humba shumë peshë. Të gjitha rrobat që kisha kur erdha për herë të parë këtu në Amerikë, tani janë shumë të lirshme.

Disa foto të postuara në llogarinë e saj në Instagram ngjallën më shumë shqetësim. Në një pozë e zakonshme në ballkonin e një hoteli apo apartamenti, e veshur me një fustan të zi pa mëngë aktorja duket shumë e dobët.

Ndërkohë që pati shumë komente komplimentuese në postimin e saj, kishte gjithashtu një fluks të vazhdueshëm komentesh që ndanin shqetësimin e tyre për shëndetin e saj. Jung pati folur për rënien në peshë edhe në fillim të dhjetorit, pasi suksesit të madh të “Squid Game” i cili që nga publikimi në shtator, u bë shfaqja më e shpërndarë në Twitter gjatë transmetimit në televizione në Shtetet e Bashkuara për të gjithë vitin 2021.