Rajoni

Ndryshimi i kufijve, Vuçiç: I mundur vetëm nën mandatin e OKB-së!

Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, deklaroi se ai është kundër ndryshimit të kufijve, por kjo ide sipas tij do të mund të gjente zbatim vetëm nëse do të mandatohej nga Kombet e Bashkuara ose një institucion tjetër.

Ndryshimi i kufijve është i mundur vetëm nën mandatin e Kombeve të Bashkuara ose ndonjë institucioni tjetër, tha Vuçiç për televizionin TV Prva duke shtuar se pozicioni i Serbisë bazohet në respektimin e ligjit ndërkombëtar.

Gjatë javëve të fundit, mediat në rajon, por edhe më gjerë, kanë shkruar për idetë për ndryshimin e kufijve të vendeve në rajonit të Ballkanit si mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura si të pazgjidhura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, idetë të cilët lindën pas shpërndarjes së dy non-paperave.

Mediat në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni kanë shkruar se për këto ide kryeministri slloven Janez Jansha, vendi i së cilit merr së shpejti edhe kryesimin e radhës të BE-së, kishte dorëzuar në Bruksel një “non paper”, ide e cila është hedhur poshtë nga BE. Disa shtete të BE-së, në veçanti Gjermania është shprehur kundër ideve të tilla duke i quajtur si të rrezikshme.

Në gjuhën e institucioneve evropiane, non-paper është një dokument joformal, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për ndonjë çështje të kontestuar.