Tech

Ndryshimi i shumëpritur vjen nga Facebook!

Kërkesa e gjatë e shumë përdoruesve, më në fund është e realizueshme në Facebook. Rrjeti social, tani e tutje lejon të shihen vetëm postimet e miqve dhe faqeve për të cilat ju keni interes me një opsion të ri ‘Feeds’. Shumë njerëz janë ankuar për News Feed kryesor, sepse shihnin shpeshherë postime për të cilat nuk ishin të interesuar. Tashmë, me versionin e ri të Feed, mund të shihen postimet më të fundit të miqve, faqeve apo grupeve.

Mund të përzgjidhen të tria kategoritë ose vetëm ato që përbëjnë interes për përdoruesin. Përditësimi lejon edhe krijimin e një liste me të preferuar, kështu që përdoruesi mund të shohë vetëm postimet e njerëzve që dëshiron. Reklamat do të vazhdojnë të jenë të dukshme. Opsioni i mëparshëm i Feed quhet Home.

Ndërkaq, rikujtojmë se nëse këto javë të fundit keni vënë re se fotot dhe videot në Instagramin tuaj shfaqen më të mëdha, nuk është një defekt në aplikacion. Pas një testimi gjatë muajit maj të këtij viti, Instagram lançoi një tjetër provë që i shfaq fotot dhe video më të mëdha në profilin tuaj. Kjo është arsyeja pse postimet mund t’ju duken ndryshe.

Disa e kanë pëlqyer ndryshimin e ri, të tjerë kanë thënë se është zhgënjimi i radhës përsa i përket ndryshimeve në Instagram. Në datën 3 maj, kreu i Instagramit Adam Mosseri, njoftoi në profilin e tij për ndryshimin e fundit. Mosseri ndau me ndjekësit se paraqitja e imazheve dhe videove më të mëdha është mënyra e kompanisë për ta bërë përvojën në Instagram edhe më gjithëpërfshirëse.