Aktualitet Politikë

Ndryshimi në qeveri, Berisha: Edi Rama lau duart me krimin e tij!

Pas ndryshimit në qeveri ku Arben Ahmetaj u zëvendësua me Belinda Ballukun në postin e zv.kryeministrit, kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se kreu i mafias së djegësve në Shqipëri është Edi Rama. Berisha ka variantin e tij për këtë zëvendësim, të cilin e dha në një dalje për mediat e në çdo moment akuzoi kryeministrin:

Edi Rama, për të larë duart me krimin e tij të shëmtuar, aferën ndër më të mëdhatë në historinë e vendit, aferën e djegësave, ka shkarkuar Arben Ahmetajn.

Me këtë rast, unë duke e konsideruar Ahmetajn një nga eksponentët kryesorë të mafies së djegësve, shtoj se kreu i kësaj afere është një dhe vetëm një. Ky është Edvin Rama. Në aferën e inceneratorëve, ai ka firmosur siç ka pohuar vetë, në kundërshtim me ligjin.

Edi Rama ka firmosur në mënyrën më të paligjshme kontratën në shkelje të barazisë së ligjit për tenderat. Ai ka firmosur kontratën për një kompani me zero eksperiencë në fushën e plehrave.

Edi Rama është përgjegjësi numër një i vjedhjes monstruoze me aferën e djegësave.

Për djegësit e Elbasanit dhe Fierit, Ministria e Mjedisit që u përdor për këtë vjedhje, kishte zero lekë në buxhetin e saj. Paratë e djegësave u morën nga fondi i emergjencave të Këshillit të Ministrave. Ky fond përdoret vetëm në rastin e katastrofave natyrale dhe fatkeqësive të mëdha natyrore.

Edi Rama, këtë fond, e përdori për të përvetësuar, bashkë me zyrtarët e tij, dhjetëra e dhjetëra miliona euro. Me urdhër të tij, ai kaloi nga fondi i emergjencës dhjetëra e dhjetëra miliona euro, në buxhetin e Ministrisë së Mjedisit për vjedhjet me inceneratorët.

Edi Rama është përgjegjës sepse firmosi kontratën me procedurë të mbyllur, në një kohë kur enti zyrtar, Agjencia e Prokurimeve Publike, kishte denoncuar më përpara, si të paligjshme për prokurim, procedurën me negociata të mbyllura.