Botë e Çuditshme Lifestyle

Ndryshimi që ka bërë Murtaja e Zezë në historinë e evolucionit njerëzor…/Studim i fundit!

Murtaja e zezë ka bërë një ndryshim në historinë e evolucionit njerëzor, duke lënë gjurmë të kalimit të saj në gjenomin tonë dhe duke ndryshuar mënyrën se si reagojmë ndaj disa sëmundjeve. Sipas një studimi të botuar në “Nature”, pandemia më vdekjeprurëse në histori, mori gjysmën e popullsisë evropiane në mesin e shekullit të 14-të dhe në pak vite u shpreh në disa variante në gjenet që rregullojnë sistemin imunitar. Në veçanti janë katër ndryshime të vogla që u bënë më të zakonshme pas murtajës, sepse ato lidheshin me një shans më të madh për të mbijetuar.

Pavarësisht se është larguar kërcënimi nga murtaja, dy prej tyre lidhen me një rrezik të shtuar të sëmundjeve autoimune, si sëmundja e Crohn dhe artriti reumatoid. Sipas gjenetistiti nga universiteti i Çikagos, Luis Barreiro, Murtaja e Zezë, një infeksion që filloi nga Azia nga bakteri Yersinia pestis, mund të ketë lënë gjurmë në evolucionin e sistemit imunitar të njeriut. Për të verifikuar këtë, ai analizoi mbi 200 mostra të ADN-së të nxjerra nga kockat dhe dhëmbët e njerëzve që vdiqën para, gjatë dhe dy breza pas Murtajës së Zezë, duke u fokusuar në gjenet që lidhen me imunitetin.

Kështu kanë dalë në dritë katër variante, që duket se janë përzgjedhur gjatë pandemisë së murtajës, sepse ato janë më të zakonshme tek të mbijetuarit e infeksionit. Një nga këto variante ndryshon shprehjen e një gjeni të quajtur ERAP2, i cili kodon një proteinë të aftë për të ndarë proteinat bakteriale në copa dhe për t’i ekspozuar ato në sipërfaqen e makrofagëve (qelizave imune) në mënyrë që të alarmojë pjesën tjetër të sistemit tonë mbrojtës. Pra një lloj sirene alarmi që sinjalizon praninë e një infeksioni.

Versioni më funksional i këtij varianti, siguron mbrojtje më të mirë kundër bakterit të murtajës. Sipas shkencëtarëve, prania e këtij varianti, do të garantonte një shans 40% më shumë për të mbijetuar nga infeksioni. Por e njëjta veçori që në shekujt e 14-të dhe në shekujt e mëparshëm garantonte një mbrojtje të konsiderueshme kundër murtajës, sot ka një ndikim në ndjeshmërinë ndaj sëmundjeve autoimune.

Pas murtajës, na mbeti një sistem imunitar vigjilent që nuk është gjithmonë i dobishëm. I njëjti variant i gjenit ERAP2 që mbron nga murtaja, dihet se favorizon sëmundjen e Crohn (një sëmundje kronike inflamatore e zorrëve), ndërsa një i dytë nga variantet e studiuara lidhet me një rrezik në rritje të artritit reumatoid, një lloj tjetër sëmundjeje autoimune. Ky studim, i publikuar së fundmi, është i pari që tregon se si një pandemi mund të modifikojë fshehurazi gjenomin e popullatës duke ushtruar presion të jashtëzakonshëm selektiv.

Kjo është shfaqur me murtajën, por ndoshta në të ardhmen mund të mos zbulohet diçka e ngjashme edhe me COVID-19. Një ekip shkencëtarësh ka arritur të gjejë origjinën e Murtajës së Zezë, pandemisë më të rëndë në historinë e njerëzimit. Origjina e saj është në rajonin e maleve Tian Shan (Kirgizistani i sotëm), të Azisë Qendrore, në gjysmën e parë të shekullit XIV. Në studimin e botuar në revistën “Nature”, thuhet se Murtaja e Zezë arriti në Mesdhe në mesin e shekullit XIV nëpërmjet anijeve tregtare që udhëtonin në Rrugën e Mëndafshit nga Deti i Zi dhe u përhap në të gjithë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, në një shpërthim në shkallë të gjerë.