Aktualitet

Ndryshojnë masat anti-COVID/Hiqet ora policore në Shqipëri!

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi në mbledhjen e sotme rishikimin e masave anti-COVID, duke hequr orën policore. Sipas kryetares së Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, “tashmë kemi një situatë më të favorshme epidemiologjike se më parë”. Gjithsesi, Rakacolli theksoi se niveli i masave që kërkon kjo situatë vazhdon të mbetet i tillë që kërkon izolimin e të infektuarve për një periudhë 5-ditore.

Ndërkohë, Rakacolli theksoi se “vaksinimi tashmë është i këshillueshëm të fillojë nga mosha 12 vjeç, për të gjithë fëmijët, jo vetëm për ata me sëmundje bashkëshoqëruese”.

Për të gjithë qytetarët që hyjnë në Shqipëri, Rakacolli u shpreh se kërkohet paraqitja e pasaportës së vaksinimit ose e testit PCR negativ.

Për ata që nuk kanë dokumentet në fuqi, vlen masa e izolimit, ndërkohë që përjashtim nga ky rregull bëjnë fëmijët deri në 6 vjeç.

Në aeroporte këshillohet mbajtja e maskës. Vazhdon të mbetet në fuqi rekomandimi për mbajtjen e maskës në të gjithë ambientet e mbyllura. Po ashtu, është në fuqi masa për grumbullime deri në 50 persona.

Rakacolli theksoi se ndryshimi këtyre masave do të shkojë në përputhje me situatën epidemiologjike në vend.

Eshtë e qartë se përmirësimi i kësaj situate epidemiologjike vjen nga procesi i vaksinimit. Që të ndalojmë qarkullimin e virusit duhet të vazhdojmë me shumë intensitet procesin e vaksinimit.

Rakacolli tha se ndryshimet në masat anti-COVID hyjnë në fuqi nga data 3 mars.