Sport

Në 13:00 hapen Lojërat Olimpike të Tokios, edicioni më “i vuajtur” në historinë e tyre!

Vetëm 950 persona do të jenë të pranishëm në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Tokios, të shtyra nga viti i kaluar për shkak të pandemisë koronavirus që vijon t’i kërcënojë.

Mes 18 udhëheqësve shtetërorë nga disa vende të botës, presidenti francez, Emmanuel Macron kur siç dihet, Olimpiada e radhës pritet të zhvillohet në Paris. Gjithashtu nuk do të mungojë Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Jill Biden.

Sa i përket mikpritësve, perandori Naruhito do t’i japë “OK”-in zyrtar fillimit të Olimpiadës. Po ashtu, në nivel zyrtar, Japoninë e plotësojnë kryeministri Yoshihide Suga e presidentja e Tokyo 2020-ës, Seiko Hashimoto. Përbën befasi mungesa e ish-kryeministrit Shinzo Abe, i cili luajti rol kyç dhe ia doli që Tokio të mbështetej si vend organizator.

 

Ceremonia e inaugurimit nis në 13:00 me orën tonë, parashikohet të zgjasë tre orë e gjysmë e mes delegacioneve nga 205 vende është edhe ai shqiptar që përbëhet nga 9 sportistë.

Por si do të jetë ceremonia?

E qartë, e thjeshtë dhe me çaste të frymëzuara nga drama e pandemisë. Mësohet se në fillim do t’i kushtohet përvojës së lidhur me COVID-in që njerëzimi e bota e sportit në veçanti po përjetojnë prej një viti e gjysmë. Sipas gazetarëve që ndoqën provat, spektakli fillon me një njeri në qendër të stadiumit Olimpik. Fillimisht i përkulur do të nisë të ngrihet në këmbë çka simbolizon rikthimin në jetë.

Në ekranet e mëdha do të shfaqen xhirime të atletëve që stërviten edhe në dhoma, për t’i kujtuar botës se për shkak të kufizimeve anti-COVID, shumë prej tyre u detyruan të qëndronin të izoluar.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach u pyet se çfarë ndjen që do të hyjë në stadium për ceremoninë e hapjes?

Të shohim, nuk jam profet ndonëse kam një ndjesi lehtësimi pasi rruga për këtë ceremoni nuk ishte e thjeshtë. Lëvizja olimpike është në qendër të shoqërisë, nuk jetojmë në një botë të qetë, por në një botë të brishtë. Duhet të reagojmë e të gjejmë rrugën e duhur për lëvizjen olimpike.

Ndërkaq, presidentja e Tokyo 2020-ës, Seiko Hashimoto tha se “Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike do të jetë një rast solemn”.