Bota

Në Amerikë nis mbyllja e klinikave të abortit/Gjykata e Lartë nuk e njeh më si të drejtë kushtetuese!

Në Amerikë, klinikat e abortit kanë nisur të mbyllen në disa shtete, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë që shfuqizoi të drejtën për abort. Në fakt, vendimi nuk ishte unanim, me gjashtë gjyqtarë të shprehur në favor të kufizimit dhe tre të tjerë që dolën kundër. Për këta të fundit, të njohur për qëndrime liberale, “në mënyrë të trishtë, gratë humbën një të drejtë kushtetuese”.

Rreth gjysma e shteteve pritet të prezantojnë kufizime të reja apo ndalesa. Janë 26 të tillë, mes të cilëve Teksasi e Oklahoma që aplikojnë ligje të forta sa i përket abortit. Kjo pas vendimit të shumëdiskutuar të gjykatës me shumicë konservatore, për të përmbysur vendimin e marrë rreth 50 vjet më parë për abortin, në rastin e njohur si Roe vs Wade, më 1973-shin.

Në trembëdhjetë shtete amerikane, të njohura si republikane, pritet që ndalesa për abortin të hyjë automatikisht në fuqi, brenda 30 ditëve të ardhshme. Ato veçohen për qëndrime të ashpra kundër abortit e saktësojnë se do të ketë përjashtime vetëm në rastet kur jeta e nënës vihet në rrezik nga shtatëzania. Vendimin gjyqësor, presidenti amerikan, Joe Biden, e përshkroi si “gabim tragjik”.

Për zv.presidenten Kamala Harris, “ndeshja” vazhdon, “zgjedhësit kanë fjalën e fundit”. Numri dy i Shtëpisë së Bardhë nuk e fshehu shqetësimin e lidhur me faktin se përmbysja e Roe kundër Wade, vë në rrezik të tjera të drejta të njerëzve.

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, vijojnë protestat në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në Feniks të Arizonas, policia hodhi gaz lotsjellës, pasi protestuesit marshuan në mbështetje të së drejtës së abortit, si dhe trokitën në dyert e dritaret e institucioneve shtetërore. Në Los Anxhelos, manifestuesit bllokuan trafikun në një autostradë. Ndërkaq, një klinikë në Arkansas ndaloi menjëherë çdo abort të planifikuar.

Aborti është një temë që përçan politikën amerikane, mes demokratëve që e përkrahin dhe republikanëve të cilët deklarohen kundër e nxituan të përshëndesnin vendimin e Gjykatës së Lartë. Në të kundërtën, zëra si të ish-Zonjës së Parë Michelle Obama, ish-sekretares së Shtetit, Hillary Clinton apo kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, folën për “vendim mizor e skandaloz”, si dhe “sulm ndaj lirisë së amerikanëve”.