Aktualitet

Në banesë me emigrantë të paligjshëm, tre në pranga në Tiranë!

Mbi bazën e informacioneve në rrugë operative se në një banesë të përshtatur si hotel në zonën e Laprakës, mbaheshin të mbyllur rreth 30 persona, emigrantë të huaj, Policia e Tiranës finalizoi operacionin “Just in time”. Me goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, u vunë në pranga tre shtetas që i mbanin. Njëri prej të arrestuarve është shqiptar e dy të tjerët janë nga Libia e Maroku. Gjithashtu, u proceduan penalisht 14 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Operacioni policor u organizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me Sektorin e Forcës Operacionale.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. K., 40 vjeç, banues në Tiranë, M. E., 26 vjeç, banues në Tarablos, Libi, dhe Z. D., 27 vjeç, banues në Casablanca, Marok, për veprat penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Në banesën e shtetasit M. K., në katin e parë, të tretë e të katërt, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 30 persona të shtetësive të ndryshme, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët mbaheshin në këto dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke iu marrë mjetet e komunikimit dhe duke i kërcënuar familjarët në vendet e origjinës, për kryerjen e pagesës së transportit të këtyre shtetasve, drejt vendit tonë.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 14 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.